Alarm në tregun ushqimor: Qumësht me aflatoksinë i konsumuar edhe në Vlorë

Date:

Share post:

Në Vlorë është hedhur në treg e konsumuar një sasi qumështi dhe nënproduktesh të tij të ndotura me aflatoksinë M1 – një toksinë kancerogjene jashtëzakonisht e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Alarmi është konfirmuar nga vetë Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU), e cila njoftoi se gjatë analizave të kryera nga janari deri në prill 2025, nga 26 mostra të kontrolluara, 10 prej tyre kanë rezultuar të kontaminuara, pra gati 40% e sasisë së verifikuar ishte jashtë normave të lejuara të sigurisë ushqimore.

Burime konfidenciale nga AKU bënë të ditur për mediat se mostrat janë marrë në markete dhe supermarkete të qytetit të Vlorës, pas marrjes së informacionit për shpërndarjen e një sasie të dyshuar të qumështit të ndotur. Sipas të dhënave, kontrolli ka filluar vetëm pasi produktet problematike kishin hyrë tashmë në treg dhe, në disa raste, ishin konsumuar nga qytetarët.

Çfarë është aflatoksina?

Aflatoksina është një toksinë natyrale e prodhuar nga disa lloje mykërash që zhvillohen në foragjere, drithëra dhe produkte bujqësore të magazinuara keq. Kjo substancë kalon te qumështi kur kafshët ushqehen me ushqime të kontaminuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon aflatoksinën si kancerogjene të grupit 1, me ndikime të rënda në shëndetin e njeriut, sidomos në dëmtimin e mëlçisë dhe të veshkave. Rreziku është veçanërisht i madh për fëmijët dhe konsumatorët e përditshëm të qumështit.

Jo vetëm qumështi.

Mandarina me pesticide, spinaq e kastraveca, luleshtrydhe etj., të ndotura, të dëmshme përfundojnë në treg dhe ne paguajmë për t’i blerë dhe helmuar në pavetëdije organizmin tonë.

Pse ndodhin këto skandale dhe pse shëndeti i shqiptarëve mbetet i paçmuar?

Ngjarja në Vlorë nxjerr në pah një problem shumë më të thellë në tregun shqiptar të ushqimit: mungesa e kontrollit sistematik dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga autoritetet përgjegjëse. Në vend që produktet të kontrollohen para se të dalin në treg, shumë shpesh kontrollet bëhen vetëm pas alarmit të parë, atëherë kur produktet janë konsumuar dhe dëmi mund të jetë shkaktuar tashmë.

Në një treg ku siguria ushqimore mbetet në mëshirë të tregtarëve dhe prodhuesve, mungesa e laboratorëve modernë, mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe interesat ekonomike lënë konsumatorin shqiptar të pambrojtur përballë rreziqeve të rënda shëndetësore.

Ndërkohë, mungesa e transparencës së plotë dhe komunikimi i vonuar me publikun rrit edhe më tej pasiguritë. Shpesh, konsumatorët nuk informohen në kohë reale për produktet problematike dhe masat e marra, duke bërë që shumë persona, sidomos fëmijë dhe të moshuar, të ekspozohen ndaj toksinave pa dijeninë e tyre.

Në shumë vende të Bashkimit Evropian, standardet për praninë e aflatoksinës janë jashtëzakonisht të rrepta dhe produktet tërhiqen nga tregu menjëherë, madje duke ndjekur edhe procedura penale ndaj përgjegjësve. Në Shqipëri, shpesh masat ndëshkuese janë të buta, ndërsa faji i shpërndahet përgjegjësive të paqarta mes institucioneve dhe operatorëve ekonomikë.

Rasti i qumështit me aflatoksinë është një thirrje urgjente për një reformë të thellë të sistemit të kontrollit ushqimor në Shqipëri. Siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar dhe duhet të mbrohet me politika serioze, kontrolle të rregullta, transparencë me qytetarët duke deklaruar edhe emrat e kompanive abuzuese, si dhe ndëshkime të ashpra për çdo shkelje që cenon shëndetin publik.

Sepse shëndeti ynë, i ne të gjithëve, nuk mund të jetë një çmim që negociohet në emër të fitimit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

KLSH: Mbetjet në Durrës peshohen vetëm në Sharrë, rekomandimet për kontrollin e kostove mbeten të pazbatuara

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mangësi serioze në mënyrën se si Bashkia Durrës menaxhon kontratën për...

Dyshohet se kryenin veprimtari kundër Shqipërisë, Ministria e Brendshme shpall non grata dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Dy shqiptarë të tjerë, nga Maqedonia e Veriut, janë shpallur non grata nga Ministria e Brendshme pasi dyshohet se kryenin veprimtari armiqësore...

Pritë në Sarandë, arrestohen 3 shtetas

Finalizohet operacioni policor i koduar "Silenciatori", si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë...

DASH: SHBA mirpret ratifikimin e kredisë ushtarake 302 milionë dollarë për Shqipërinë

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara mirëpresin ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të...