Dy të rinjtë, që tentuan të mashtrojnë Armand Dukën dhe t’i marrin 100 mijë euro, janë marrë në pyetje. Orest Balla, i arrestuar për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke u shtirur si Taulant Balla, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve. Sipas deklarimit të tij, ai kishte marrë një mesazh në Instagram nga një person i panjohur, i cili i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të një komunikimi me një person tjetër.
Balla ka pretenduar se më pas, një person kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni, përmes të cilit ai kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës, i cili, në fakt, ishte agjent policie.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk e njihte më parë të arrestuarin tjetër, Edison Korrën.
Edison Korra ka dhënë një tjetër version për ngjarjen. Sipas tij, ai ishte kontaktuar nga Orest Balla në një lokal, ku ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Hetuesit dyshojnë se dëshmitë e të dyve janë kontradiktore e të pavërteta.
Ndërkohë, komunikimi me vetë Armand Dukën dyshohet se është kryer nga një person tjetër, përmes mesazheve në aplikacionin Signal.
Dy të arrestuarit, të cilët dyshohet të jenë pjesë e grupit të mashtruesit në kërkim, Florian Gjergji, tentuan t’i marrin 100 mijë euro, kreut të FSHF-së, Armand Duka, duke u hequr si socialisti Taulant Balla. Pas kallëzimit në polici nga vetë Duka, agjentë të infiltruar komunikuan me të dyshuarit në rrjetet sociale, derisa i arrestuan në flagrancë, kur “do të merrnin paratë” nga presidenti i Federatës.


