Artisti Nelo Llukaçi, mes formës, ngjyrës dhe studios

Date:

Share post:

Në moshën 87-vjeçare, Nelo Llukaçi vazhdon të hapë çdo ditë derën e studios së tij në Durrës me të njëjtin përkushtim që e ka shoqëruar për më shumë se gjashtë dekada. Për të, studioja nuk është thjesht një hapësirë pune. Është “laboratori i realizimeve artistike”, vendi ku mendimi skicohet, ku forma kërkon dritën dhe ku ngjyra gjen shpirtin.

“Studioja është qetësia e shpirtit”, thotë ai.

I lindur më 17 gusht 1938 në Durrës, në një familje me ndjeshmëri artistike, Llukaçi u rrit mes frymës krijuese. Nëna e tij, e apasionuar pas artit, dhe ambienti familjar ushqyen herët ndjeshmërinë e tij estetike. Talenti u dallua që në moshë të re dhe mori drejtim të qartë kur u afrua pranë studios së profesor Sabri Tuçi, një prej figurave të njohura të arteve figurative shqiptare, i cili e orientoi në hapat e parë të formimit profesional.

Fitimi i konkursit për në shkollën e lartë të artit shënoi pikënisjen e rritjes së tij si artist. Më pas erdhën vitet e punës intensive, ekspozitat, përfshirja në jetën kulturore të qytetit dhe periudha e rëndësishme kur “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” krijoi kushte konkrete për krijimtarinë, studio, hapësira, mundësi për t’u përqendruar seriozisht në art. “Ishte një kohë që na rriti”, kujton ai.

Rrugëtimi i tij është ndërtuar mbi dy gjuhë të artit: skulpturën dhe pikturën. Dy disiplina të ndryshme, po që në universin e tij nuk kanë qenë të ndara.

“Skulptura i ka dhënë formë pikturës, ndërsa piktura i ka dhënë ngjyrë skulpturës.”

Forma, sipas tij, lidhet me karakterin. Ngjyra është e lindur. Kjo ndërthurje ka krijuar identitetin e tij artistik, si një dialog i vazhdueshëm mes materialit dhe emocionit.

Krijimtaria e Llukaçit është e larmishme si në teknikë, ashtu edhe në tematikë. Ai ka punuar në vizatim, pikturë, skulpturë në gur e allçi, bakër, qeramikë dhe materiale të tjera, duke eksploruar forma klasike dhe kompozime më moderne. Në veprat e tij gjenden tema historike, sociale dhe njerëzore si “Vallja e Çlirimit”, “Luli i vocërr”, “Elektrifikimi” , “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” si dhe portrete figurash kombëtare si Abdyl Frashëri, Luigj Gurakuqi apo Ded Gjon Luli e shumë të tjera. Krahas tyre, peizazhet e Durrësit, deti, natyra e qetë dhe skenat familjare zënë një vend të rëndësishëm në universin e tij figurativ.

Por mes punimeve të tij në skulpturë dhe pikturë dallohen edhe ato të realizuara ndër vite për njerëzit më të dashur: babain, nënën, bashkëshorten, djemtë, nipin dhe mbesat. Janë vepra që mbajnë një dimension më intim, ku forma dhe ngjyra nuk i shërbejnë vetëm estetikës, por kujtesës dhe dashurisë familjare. Në to, artisti nuk kërkon monumentin publik, por përjetësimin e ndjenjës, një mënyrë për ta ruajtur kohën brenda artit.

Një moment domethënës në karrierën e tij ishte “Ekspozita e Unit” në Galerinë e Arteve Figurative “Nikolet Vasia” në Durrës, ku publiku mundi të ndjekë evolucionin e tij krijues ndër vite, nga punimet e hershme deri tek realizimet më të vona.

Një tjetër moment i veçantë ishte ekspozita “E thjeshtë”, ku ai ekspozoi së bashku me të birin, piktorin Romir Llukaçi, dhe mbesën e tij. Tre breza në një hapësirë të vetme arti, mbi 120 punime që dëshmonin jo vetëm vazhdimësinë familjare, por edhe gjallërinë e shpirtit krijues që kalon nga një brez te tjetri.

Durrësi është thellësisht i pranishëm në krijimtarinë e tij. Deti, klima, njerëzit e urtë dhe atmosfera qytetare kanë formuar jo vetëm njeriun, por edhe artistin. Ai kujton një kohë kur ekspozitat ndiqeshin me interes të jashtëzakonshëm, kur publiku vinte për të parë, për të diskutuar, për të ndjerë artin.

Sot, sipas tij, arti është zhvilluar, por ka humbur disi nga përqendrimi dhe respekti i dikurshëm. Mungesa e një galerie të mirëfilltë në Durrës mbetet një shqetësim për të – një boshllëk kulturor që ai e shpreh si dëshirë qytetare për t’u plotësuar.

Edhe përballë sfidave të kohës, madje edhe rrezikut që reshjet dhe përmbytjet mund të dëmtojnë studion dhe veprat e tij, ai nuk mendon të ndalet.

“Nuk kam menduar kurrë ta lë artin. Arti më bën të dashuroj jetën.”

Për artistët e rinj, mesazhi i tij është i qartë dhe i thjeshtë:

“S’ka art pa ide. Ideja është ajo që e mban artin të gjallë.”

Pas më shumë se gjysmë shekulli krijimtarie, Nelo Llukaçi mbetet një figurë që dëshmon se arti nuk është vetëm profesion apo titull, por mënyrë jetese. Çdo ditë në studio është një akt besnikërie ndaj vetes, ndaj qytetit dhe ndaj shpirtit krijues që nuk njeh moshë.

Intervista e plotë me artistin Nelo Llukaçi

– Pas kaq dekadash krijimtarie, çfarë ju mban ende çdo ditë pranë studios dhe materialit?

Arti është bërë një me shpirtin tim krijues. Kjo është arsyeja pse vazhdoj të rri në studio edhe pas kaq shumë dekadash. Studioja është laboratori i realizimeve artistike, aty mendohet, skicohet, zgjidhen dilemat dhe marrin formë idetë. Për mua, studioja është qetësia e shpirtit.

– Skulptura dhe piktura janë dy gjuhë të ndryshme. Si bashkëjetojnë ato në rrugëtimin tuaj artistik?

Unë e kam nisur rrugën time artistike me të dyja këto gjuhë dhe ato janë rritur bashkë me mua. Kanë krijuar një harmoni të brendshme në shpirtin tim.

Skulptura i ka dhënë formë pikturës, ndërsa piktura i ka dhënë ngjyrë skulpturës. Kjo ka qenë rruga ime e bashkëjetesës me të dyja disiplinat.

Ngjyra është diçka e lindur, ndërsa forma lidhet shumë me karakterin tim. Kur flas për art, flas për pikturë dhe skulpturë të vërtetë, për art që buron nga brenda.

– Kur shihni pas, cili ka qenë momenti apo periudha që ju ka formuar më shumë si artist?

Nuk mund të veçoj një moment të vetëm. Talenti ekzistonte që herët dhe kjo më bëri të fitoj konkursin për në shkollën e lartë të artit. Aty nisi rritja dhe formimi im i mirëfilltë artistik.

Vlerësimet që mora në fillim ishin një shtysë e fortë për t’u lidhur ngushtë me artin. Një periudhë shumë e rëndësishme ishte ajo kur “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” na krijoi mundësinë të punonim me orare të reduktuara dhe me studio në dispozicion. Uji dhe dritat ishin falas, kjo na dha mundësi të merreshim seriozisht me krijimtarinë. Ishte një kohë që na rriti shumë si artistë.

Më pas, zhvillimet shoqërore na diktuan tema të reja. Ndryshimi i kohës më shtyu të kërkoj forma moderne shprehjeje. Periudha e krijimit të lirë ka qenë për mua shumë e çmuar.

– Si ka ndryshuar arti dhe raporti i shoqërisë me artistin?

Durrësi ka qenë gjithmonë qytet kulture dhe arti. Ringjallja e jetës qytetare solli edhe gjallërimin e artit. Ekspozitat e para u inkurajuan nga Vangjel Toçi, një njeri që i dha shumë kulturës së qytetit.

Në atë kohë nuk kishte televizorë apo celularë. Ekspozitat ndiqeshin me shumë interes dhe respekt. Publiku ishte i lidhur ngushtë me krijuesin.

Sot zhvillimi artistik është rritur, por mendoj se ka humbur disi respekti i dikurshëm ndaj artit. Durrësi ka pasur një galeri modeste, por funksionale. Sot qyteti nuk ka një galeri të mirëfilltë, ndërkohë që qytete të tjera kanë hapësira serioze ekspozimi. Një galeri do të ishte një vlerë e vazhdueshme për kulturën qytetare. Kjo mbetet një dëshirë e imja si krijues dhe si qytetar i Durrësit.

– Çfarë vendi zë Durrësi në veprën tuaj?

Durrësi është qyteti i lindjes dhe i jetës sime. Klima, deti, njerëzit e urtë, miqësitë, shkolla, të gjitha këto kanë formuar qenien time dhe reflektohen në artin tim.

Banorët e Durrësit ishin ata që me interesin dhe respektin e tyre na shtynë të rriteshim si artistë. Ata u bënë ndjekësit tanë dhe na dhanë forcë për të vazhduar.

– Keni menduar ndonjëherë të ndaleni?

Jo. Nuk kam menduar kurrë ta lë artin, përveçse në raste madhore që nuk varen nga unë.

Vazhdoj sepse arti më kënaq shpirtin. Më jep emocione që më bëjnë të ndihem i fortë dhe të dashuroj jetën. Idetë m’i jep vetë jeta e përditshme.

– Çfarë do t’u thonit artistëve të rinj që ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre?

Arti është një dhunti e shpirtit. Ai që e ka këtë dhunti do ta ndjekë, sepse ka një shtytje të brendshme.

Jetesa me art është e vështirë, jo për formimin artistik, por për sigurimin e jetesës. Sot, të rinjtë kanë mundësi për shkolla teknike që u garantojnë stabilitet ekonomik, po sigurinë në art e krijojnë vetë artistët, duke qenë të ndershëm dhe duke sjellë ide të reja për shoqërinë.

S’ka art pa ide. Ideja është ajo që e mban artin të gjallë dhe të vlefshëm.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...