Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, aty ku pritej të ishte qendra e vëmendjes pas rikonstruksionit, një nga thesaret më të rralla të trashëgimisë sonë kulturore vijon të mbetet i padukshëm për publikun.
Mozaiku mbi 2300-vjeçar Bukuroshja e Durrësit, i kthyer në qytetin bregdetar pas rreth 45 vitesh, nuk është ende i aksesueshëm për vizitorët. Pjesët e tij janë vendosur në kuti të mëdha, në pritje të bashkimit për të krijuar të tërën, ndërsa sipas drejtorit të Qendrës Muzeore Alban Ramohitaj dhe restauratorit Agron Islami, nuk mund të jepet një afat për instalimin e mozaikut.


Gjatë ceremonisë së hapjes së muzeut, pas rikonstruksionit, mozaiku u ekspozua pjesërisht, si një premtim për atë që do të vinte më pas. Por në ditët që pasuan, vizitorët e shumtë që nxituan të shihnin nga afër simbolin e qytetit u përballën me një mungesë zhgënjyese. “Bukuroshja” nuk ishte e ekspozuar. Hapësira e destinuar për dalje nga muzeu ku janë vendosur pjesët e “Bukuroshes” është mbyllur për publikun.

Mozaiku pas mbërritjes në muze është vendosur përkohësisht në një ambient jo dinjitoz, pranë daljes së muzeut dhe afër tualeteve, një vendosje që ka ngjallur jo pak reagime dhe pakënaqësi. Madje dhe nga grupi i restauratorëve, ambienti cilësohet i papërshtatshëm.
Mozaiku, i cili për dekada qe pjesë e Muzeu Historik Kombëtar, u rikthye në Durrës nga i njëjti ekip specialistësh që e kishte transportuar drejt Tiranës në vitin 1981. Megjithatë, rikthimi i shumëpritur duket se nuk është shoqëruar me përgatitjen e duhur për ekspozimin e tij.
Vendosja e mozaikut në hollin e daljes ngre pikëpyetje mbi standardet e kurimit dhe organizimit të ekspozitës.
Historia e këtij mozaiku të rrallë është po aq mbresëlënëse sa edhe vetë vepra. Ai u zbulua fillimisht në vitin 1916 gjatë Lufta e Parë Botërore nga forcat xheniere austriake, të cilat vunë re fragmente shumëngjyrëshe në dyshemenë e një ndërtese në qendër të qytetit. Zbulimi përfundimtar u realizua në vitin 1959 nga arkeologu Vangjel Toçi, bazuar edhe në dokumentimet e hershme të studiuesit austriak Camillo Praschniker.
Mozaiku i lashtë paraqet portretin e një gruaje të rrethuar nga motive floreale, duke u konsideruar si mozaiku më i hershëm i zbuluar në Shqipëri dhe një simbol identitar për Durrësin.
Megjithatë, jo vetëm “Bukuroshja” mungon në mënyrë të plotë në ekspozim. Edhe kati i dytë i muzeut mbetet i mbyllur për vizitorët, ndërsa stafi vijon punën për kartelizimin e objekteve dhe organizimin e punëve. Kjo situatë ngre dyshime mbi një hapje të nxituar të institucionit muzeor.

Vizitorët, ndërkohë, shëtisin në katin e parë, duke shijuar koleksionin e ekspozuar, por jo pa e shoqëruar përvojën me komente zhgënjyese. Në ambientet e muzeut dëgjohet shpesh një fjali e pëshpëritur: “Muzeu s’qenka ende gati”.
©️zërionline


