“Një gotë për Dorin” solli poezinë dhe kujtimin e Teodor Kekos në Durrës

Date:

Share post:

“Një gotë për Dorin” mblodhi artdashësit në Muzeun Etnografik të Durrësit, në mbrëmjen e 6 gushtit, organizuar nga teatri “Aleksandër Moisiu” në kujtim të shkrimtarit dhe poetit Teodor Keko.

Poezia, kujtesa dhe muzika u ndërthurën gjatë mbrëmjes, duke sjellë për publikun një tjetër dimension të krijimtarisë së autorit. Nën regjinë e Andia Xhungës, aktorët Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Adelina Muça, Era Çaushi, Alesia Xhemalaj, Jaho Guma, Romir Zalla, Marvin Tafaj dhe Ervin Doko interpretuan poezi dhe fragmente nga krijimtaria e Kekos.

Mes tyre dhe poezi dashurie, që përcollën anën më intime të autorit, ndërsa intermexot muzikore sollën këngë me tekste të shkruara nga Teodor Keko. Kështu, mbrëmja nuk mbeti vetëm një recital poetik, por u shndërrua në një portret artistik të një krijuesi që e jetoi dhe e shkroi kohën e tij me një gjuhë të drejtpërdrejtë, shpesh ironike, por gjithmonë njerëzore.

Teodor Keko u nda nga jeta në vitin 2002, vetëm 43 vjeç. Poet, prozator dhe publicist, ai la pas një krijimtari të lidhur ngushtë me realitetin shqiptar të viteve ’80 dhe ’90 dhe me ndryshimet e forta të periudhës së tranzicionit. Në vlerësimet për veprën e tij është veçuar pikërisht humanizmi dhe mënyra e natyrshme me të cilën ai solli fenomene shoqërore, ndërtoi personazhet dhe realitetin e kohës.

Në këtë mbrëmje ishte e pranishme edhe bashkëshortja e shkrimtarit, e njohur për miqtë e familjen si Xhuli. Ajo u shpreh mjaft e emocionuar për këtë përkujtim për Dorin, që vjen në muajin gusht, në 24-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Për të, kujtimi i Dorit nuk është vetëm ai i një shkrimtari që mungon, por i një njeriu që vazhdon të jetë pjesë e jetës së familjes dhe e njerëzve që e kanë njohur.

Mbrëmja u mbyll me interpretimin e aktorit veteran Xhelal Tafaj, duke lënë pas vargje, muzikë dhe kujtime për një autor që, pavarësisht viteve që kanë kaluar nga ndarja e tij nga jeta, vazhdon të jetë i pranishëm përmes veprës.

“Një gotë për Dorin” ishte edhe një ftesë për ta kujtuar Teodor Kekon ashtu siç e kujtojnë miqtë e tij, përmes fjalës, shigjetimit të fenomeneve plagë të shoqërisë, humorit, poezisë dhe një tryeze ku letërsia ishte gjithmonë pjesë e bisedës.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ishte duke punuar në një shtyllë tensioni, humb jetën elektricisti në Marglliç te Patosit

Një elektricist ka humbur jetën pasditen e sotme në Marglliç të Patosit. Ai ishte duke punuar në një shtyllë elektrike,...

Dea e Butrintit kthehet në shtëpi, Gonxhja: Dëshmi e jashtëzakonshme e trashëgimisë sonë”. Po fati i “Bukuroshes” në Durrës?

Dea e Butrintit rikthehet në vendin ku u zbulua. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë,...

Gara për kreun e Gjykatës së Lartë/ Mbyllet afati, Ilir Panda kandidati i vetëm

-Ilir Panda është kandidati i vetëm në garën për kreun e Gjykatës së Lartë. Pjesë e kësaj gjykate...

Pas një mijë vjetësh, kronika e pushtimit norman kthehet në Angli

British Museum hap sot, më 10 shtator, ekspozitën e Tapicerisë së Bayeux, e cila kthehet në Angli për...