Mëngjesin e ditës së parë të shkollës, një grup i vogël protestuesish tentuan të bllokojnë rrugët. Ata u mblodhën në 7 të mëngjesit në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Zogut të Zi, në pikun e qarkullimit për ditën e parë të shkollës.
Për të shmangur bllokimin e rrugës që do të paralizonte edhe më tej kryeqytetin në një ditë të tillë të ngarkuar, blutë shoqëruan disa prej tyre dhe e shpërndanë grupin që krijoi vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Gjatë shoqërimeve, një efektiv i forcave Shqiponja, goditi me grusht në bark një protestues që ishte ndaluar nga blutë, çka pasoi me pezullimin e tij nga detyra.
Kryepolici Hita, urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, “për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.
“Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.
Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj”, njoftoi Policia e Shtetit.
Ndërkohë për bllokimin e lëvizjes në akset kryesore të Tiranës në protestën e mbrëmshme, policia njoftoi se vuri në hetim 20 pjesëmarrës në tubim, mes të cilëve 7 vajza e gra. Sipas policisë ata bllokuan rrugët në bulevardet “Dëshmorët e Kombit”, “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, në sheshin “Ëillson” dhe në rrugët “Sami Frashëri” dhe “Abdyl Frashëri”.
Materialet procedurale, policia thotë se i referoi në Prokurorinë e Tiranës, për 3 vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme”, “Pengim i qarkullimit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
©ZëriOnline


