Çfarë ndodh kur nuk je më i sigurt nëse ajo që po përjeton është e vërtetë apo vetëm një krijim i mendjes?

Kjo është dilema me të cilën u përball publiku i shfaqjes “Pylli”, e cila mbrëmjen e 17 shtatorit u ngjit në skenën e Amfiteatrit Romak të Durrësit, në kuadër të Dyrrachium International Theater Festival.
E sjellë nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, shfaqja me regji të Erson Zymberit është një dramë psikologjike e bazuar në veprën e dramaturgut francez Florian Zeller, autor i njohur për eksplorimin e kujtesës, realitetit dhe brishtësisë njerëzore.
Në qendër është Pierre, një burrë që në pamje të parë duket se e ka jetën nën kontroll. Por gradualisht, kujtimet, frika, marrëdhëniet dhe perceptimi i tij për atë që po ndodh fillojnë të përzihen. Ajo që duket e sigurt një moment më parë, në tjetrin vihet në dyshim.
“Pylli” nuk i ofron publikut një histori të thjeshtë për t’u ndjekur. Përkundrazi, e vendos spektatorin brenda një labirinti psikologjik, ku skenat dhe situatat marrin kuptime të ndryshme dhe pyetja kryesore mbetet pezull: çfarë është realitet dhe çfarë ekziston vetëm në mendjen e personazhit?

Vetmia, frika, marrëdhëniet njerëzore, faji dhe pasiguria janë disa prej temave që ndërthuren gjatë shfaqjes, duke e bërë publikun pjesë të enigmës.
Prania e trupës nga Prizreni në Durrës vjen në kuadër të festivalit ndërkombëtar të teatrit, i cili ka vendosur të sjellë në qytet disa produksione dhe artistë nga vende të ndryshme, duke e kthyer Amfiteatrin Antik në një hapësirë takimi për skenën teatrore shqiptare dhe atë rajonale.


