Dy 43-vjeçarë janë arrestuar në Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar me autobus mallra të dyshuara si të kontrabanduara nga Greqia.
Operacioni policor i koduar “Akciza 3” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të informacioneve të siguruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër.
Të arrestuarit janë Olcian Lami dhe Markeljan Dida, të dy banues në Tiranë. Ata u ndaluan në aksin Kakavijë-Gjirokastër, teksa drejtonin me radhë një autobus.
Gjatë kontrollit, në pjesë të fshehura të autobusit, policia gjeti 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, ndërsa në bagazh u konstatuan kuti me produkte deti dhe mishi, produkte bulmeti, medikamente, 13 thasë me veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera.
Sipas policisë, dyshohet se mallrat ishin kontrabanduar nga Greqia dhe po transportoheshin për në Shqipëri pa u deklaruar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat, autobusi dhe një aparat celular.
Dy të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, mes tyre kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë, mosdeklarim në kufi të parave dhe sendeve me vlerë, fshehje të të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.


