Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ngre shqetësimin për raste të përsëritura të pengimit të gazetarëve në ushtrimin e detyrës, duke kërkuar nga strukturat shtetërore sqarimin e episodeve të denoncuara.
Në një deklaratë të publikuar këtë të enjte, UGSH reagoi për shoqërimin e gazetares Vjolanda Peca, e cila raportonte protestën para Kuvendit, si dhe për deklaratat e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Sipas Unionit, raste të tilla cenojnë ushtrimin e lirë të profesionit dhe kërkojnë verifikim institucional.
Por shqetësimi për gazetarët në terren ishte ngritur edhe dy ditë më parë nga Dega e UGSH-së në Durrës, pas denoncimit të gazetares së Syri TV në Durrës.
Gazetarja deklaroi se gjatë filmimit të një operacioni policor në Shkozet, efektivë të Forcave Speciale e kishin penguar të raportonte, i kishin marrë telefonin, e kishin kërcënuar me pranga dhe i kishin fshirë pamjet e filmuara.
Dega e Durrësit kërkoi verifikimin e plotë të rastit, identifikimin e efektivëve të përfshirë dhe sqarimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera ndaj gazetares.
Dy ditë pas këtij reagimi, sipas Unionit, ende nuk ka një përgjigje institucionale për rastin e denoncuar në Durrës.
UGSH kërkon që raste të tilla të mos mbeten pa sqarim dhe, nëse konstatohen shkelje, të ketë përgjegjësi përkatëse.
Për Unionin, siguria e gazetarëve dhe mundësia për të raportuar pa presion apo ndërhyrje të pajustifikuara lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e publikut për t’u informuar.
©ZëriOnline


