Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Fushë Krujë–Krujë, në afërsi të Kamberas, ku janë përplasur tre automjete.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, një prej të rinjve të përfshirë në aksident, i identifikuar me inicialet L.Z., ka ndërruar jetë.
Dy personat e tjerë raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Për shkak të gjendjes së tyre, në transportimin e të plagosurve drejt spitalit janë përdorur edhe automjete të Policisë.
Në aksident janë përfshirë një automjet Mercedes-Benz, me targë AC 034 AU, një Audi, me targë AB 861 EY, si dhe një Volkswagen Passat, me targë AB 786 ZC.
Ndërkohë, një prej drejtuesve të automjeteve të përfshira në ngjarje është shoqëruar në komisariat.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se lagështia në rrugë dhe shpejtësia e lartë mund të kenë ndikuar në aksident, por këto rrethana mbeten për t’u konfirmuar nga hetimet. Pritet që autoritetet të japin informacion zyrtar mbi dinamikën e ngjarjes, identitetin dhe gjendjen e personave të përfshirë.


