60 vite nga zbulimi i Amfiteatrit të Durrësit, monumenti vazhdon të tregojë historinë dhe lartësojë vlerat e qytetit

Date:

Share post:

Një pemë e përpirë nga toka, pas një rrebeshi të fuqishëm, do të bëhej shenja e parë e një prej zbulimeve më të rëndësishme e më të mëdha arkeologjike në Shqipëri.

Ishte pranvera e vitit 1966. Rrëketë e shiut kishin depërtuar në një hapësirë të thellë pranë banesave dhe një pemë fiku ishte zhdukur papritur në një zgavër. Për arkeologun Vangjel Toçi, kjo nuk ishte thjesht një dukuri e terrenit. Ai besoi se aty fshihej Amfiteatri Antik, monumenti për të cilin kërkimet dhe burimet historike kishin dhënë prej kohësh gjurmë.

Kështu nisi historia moderne e zbulimit të një monumenti që për shekuj kishte qëndruar nën qytetin e Durrësit, nën këmbët e banorëve.

60-vjetori i këtij momenti u përkujtua më 29 shtator në Muzeun Arkeologjik Kombëtar, në një aktivitet të organizuar nga Qendra Muzeore Durrës në Muzeun Arkeologjik. Një mbrëmje që bashkoi arkeologjinë, kujtesën dhe njerëzit që kanë punuar ndër dekada për nxjerrjen në dritë dhe ruajtjen e Amfiteatrit dhe historisë së tij.

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte ekspozita fotografike, përfshirë dhe imazhe nga arkivi i Vangjel Toçit, që dokumentojnë momentet e para të gërmimeve. Ekspozita, e kuruar nga specialistja e muzeut Antigoni Gjergji, me përpunimin grafik të Julian Shytit, solli jo vetëm fotografi, por një pjesë të historisë së punës arkeologjike në monument.

Dëshmitë e atyre që e njohën dhe punuan me Vangjel Toçin e çuan rrëfimin përtej fotografive.

Arkeologu Afrim Hoti solli historinë e zbulimit dhe intuitën e Toçit, si dhe mjaft momente të tjera të rëndësishme në jetën e monumentit. Edhe arkeologët Eduard Shehi, Lida Miraj, Elvana Mwtalla etj ndanë informacione interesante mbi Amfiteatrin dhe gjetjet në të.

Ndërkaq restauratori në pension Nelo Llukaci, bashkëkohës i Toçit, kujton vitet e para të punës në Amfiteatër dhe në muze dhe sakrificat e punëtorëve, duke e cilësuar arkeologun Toçi një figurë të jashtëzakonshme, të cilit Durrësi dhe arkeologjia shqiptare i detyrohen shumë.

Zbulimi dhe gërmimet e nisura në vitin 1966 vijuan, ndërsa ekspedita të tjera do të riktheheshin ndër vite në monument për të plotësuar të dhënat mbi strukturën, historinë dhe funksionin e tij. Gjatë këtyre punimeve u zbuluan edhe varre mesjetare në zonën e arenës, një dëshmi se hapësira e Amfiteatrit kishte vazhduar të përdorej dhe të ndryshonte funksion në periudhat pas antikitetit.

I ndërtuar në fillim të shekullit II pas Krishtit, gjatë periudhës së perandorit Trajan, Amfiteatri kishte një kapacitet të vlerësuar rreth 15-20 mijë spektatorë dhe përmasat e tij, me rreth 136 metra në aksin më të gjatë, dëshmojnë rëndësinë që kishte Durrësi në botën romake.

Historia e tij nuk përfundoi me zbulimin.

Ndër vite, në Amfiteatër dhe muze kanë punuar breza arkeologësh, restauratorësh dhe studiuesish shqiptarë e të huaj. Ekspeditat italo-shqiptare, veçanërisht kërkimet e drejtuara nga arkeologia italiane Sara Santoro, kanë sjellë të dhëna të reja për monumentin dhe marrëdhënien e tij me qytetin antik e mesjetar.

Pikërisht për kontributin e saj, në aktivitetin e 60-vjetorit iu kushtua një homazh Sara Santoros.

Ndërkohë, për drejtuesin e Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, 14 prilli duhet të marrë një vend të veçantë në kalendarin e qytetit, me propozimin që kjo datë të njihet si Dita e Amfiteatrit.

Viti 2026 është shpallur “Viti i Amfiteatrit”, ndërsa në kuadër të përvjetorit ka nisur edhe publikimi i një kolane me artikuj shkencorë në bashkëpunim me arkeologun Afrim Hoti.

Por gjashtë dekada pas zbulimit, paradoksi i Amfiteatrit mbetet i njëjtë: një monument i madh që ende nuk është nxjerrë i gjithi në dritë.

Një pjesë e rëndësishme e tij vijon të jetë nën ndërtime dhe nxjerrja e plotë kërkon jo vetëm gërmime, por ndërhyrje komplekse, kohë dhe financime të konsiderueshme. Sipas arkeologut Afrim Hoti, bëhet fjalë për një proces delikat, që nuk mund të përfundojë në një kohë të shkurtër.

E ndërsa arkeologët vazhdojnë të kërkojnë gjurmët që kanë mbetur nën tokë, Amfiteatri është kthyer në një nga pikat kryesore të trashëgimisë dhe turizmit të Durrësit e vendit.

Nga janari në gusht të vitit 2026, monumenti u vizitua nga 28, 823 persona, rreth 16.3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

60 vite pas atij zbulimi të rastësishëm, Amfiteatri nuk është thjesht një monument i së kaluarës. Është një histori që vazhdon të gërmohet, të studiohet dhe të zbulojë, brez pas brezi, një tjetër pjesë të Durrësit antik.
V.Q.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Mori diplomën në UAMD, njeriu i zemrës i propozon për martesë para të gjithëve

Një mbrëmje që nisi me emocionet e diplomimit dhe përfundoi me një propozim për martesë. Klarisa Toska, 23 vjeçe,...

Ambasada amerikane zbardh takimin e Ambasadorit Wendt me kryeministrin Rama

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas takimit të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt,...

Zjarret në Durrës, fiken 3 vatra, vijon lufta me flakët në Fllakë dhe Gjirin e Lalzit

Situata e zjarreve në qarkun e Durrësit është përmirësuar, por dy vatra vijojnë të jenë aktive. Sipas informacionit nga...

Zjarr i madh në Fllakë, përfshihet nga flakët pika e grumbullimit të skrapit, tymi shihet nga autostrada

Një vatër zjarri është përhapur me shpejtësi pasditen e sotme në zonën e Fllakës, në Durrës. Sipas të dhënave...