Tre ditë përballje me flakët kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në Bashkinë e Peqinit, ku mbi 50 hektarë sipërfaqe janë përfshirë nga zjarri dhe tre banesa të pabanuara janë djegur.
Flakët kanë dëmtuar sipërfaqe me shkurre, ullinj, pemë frutore dhe kultura të tjera bujqësore. Ndër zonat më të prekura janë Përparimi, Pajova dhe disa fshatra në kufi me Tiranën, ku zjarri në momente të caktuara iu afrua edhe banesave.
Për përballimin e situatës u angazhuan dhjetëra mjete dhe forca zjarrfikëse nga 11 bashki. Ndërhyrja u vështirësua nga era e fortë dhe terreni i thyer, që favorizuan përhapjen e flakëve.
Këtë të shtunë situata në Peqin paraqitet nën kontroll, ndërsa vijon monitorimi i vatrave dhe evidentimi i dëmeve. Fermerët e prekur kërkojnë mbështetje dhe dëmshpërblim për humbjet në kulturat bujqësore.
Dyshimet paraprake për origjinën e zjarrit lidhen me fshatin Galush, ku një person dyshohet se kishte ndezur zjarr për djegien e shkurreve, por flakët i kanë dalë jashtë kontrollit. Ai është shoqëruar në polici dhe po vijojnë verifikimet për zbardhjen e rrethanave.
Ndërkohë, vatra e zjarrit në malet e Gjinarit, në Elbasan, është riaktivizuar. Disa dhjetëra forca zjarrfikëse dhe të emergjencave po luftojnë me flakët, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit dhe pengimin e përhapjes së tij.



