Misteri i vrasjes së Mikel Rrokut, 55-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet me dëmtime të rënda në kokë në apartamentin e tij në Torino është zbardhur. Në pranga ka përfunduar bashkëshortja e viktimës, 45 vjeçe, së bashku me partnerin e saj të ri, 52 vjeç, të dyshuar për përfshirje në vdekjen e 55-vjeçarit, shkruan media italiane.
Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të së martës nga karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos, të cilët zbatuan ndaj dy të dyshuarve një urdhër të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Trupi i Mikel Rrokut u gjet më 6 korrik në banesën e tij në rrugën “Verolegno”, në zonën Lucento të Torinos. 55-vjeçari ndodhej në një gjendje të avancuar dekompozimi.
Ishin fqinjët ata që njoftuan autoritetet, pasi nga apartamenti vinte një erë e rëndë. Pas mbërritjes në banesë, policia gjeti trupin e shqiptarit dhe nisi menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Dëmtimet e rënda në kokë ngritën dyshimet e hetuesve se bëhej fjalë për një vdekje të dhunshme. Në vijim të hetimeve, dyshimet u përqendruan te bashkëshortja e viktimës dhe partneri i saj i ri.
Të dy janë shtetas italianë dhe tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për të rindërtuar dinamikën e plotë të krimit, përfshirë motivin dhe rolin konkret që dyshohet se ka pasur secili prej tyre.
Për momentin, detajet mbi mënyrën se si ka ndodhur vrasja dhe arsyet që mund të kenë çuar në krim nuk janë bërë të gjitha publike. Ndaj dy të arrestuarve rëndon dyshimi për vrasjen e Mikel Rrokut, ndërsa përgjegjësia përfundimtare do të përcaktohet nga drejtësia italiane.
©ZëriOnline


