Një trup i pajetë, në gjendje të dekompozuar, është gjetur paraditen e sotme në vendin e quajtur “Përroi i Zall Frashër”, në fshatin Zhejë, Njësia Administrative Mamurras, në Kurbin.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se trupi i përket një shtetasi francez me inicialet G. P., 61 vjeç, i cili mendohet se kishte qenë vizitor në këtë zonë. Dyshimet e para janë se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Burime nga Policia bëjnë me dije se deri më tani nuk rezulton të jetë bërë denoncim në Shqipëri për zhdukjen e shtetasit francez. Autoritetet janw nw kontakt Ambasadën e Francës për të verifikuar se kur është humbur kontakti me 61-vjeçarin dhe për identifikimin e plotë të tij.
Njoftimi i plotë i Policisë
“Në vendin e quajtur “Përroi i Zall Frashër”, fshati Zhejë, Njësia Administrative Mamurras, është konstatuar një trup i pajetë, i dekompozuar. Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se trupi i pajetë i përket shtetasit francez G. P., 61 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë vizitor në këtë zonë dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes”


