Pas studentëve, protestës qytetare kundër qeverisë i janë bashkuar këtë të mërkurë edhe gjimnazistë.
Nxënës të gjimnazit “Partizani” në kryeqytet kanë bojkotuar mësimin si dhe kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugën “Tafaj”.
Një ditë më parë studentët protestuan para Ministrisë së Arsimit, ku gjatë demonstratës u shënuan përplasje të dhunshme me policinë. Protestuesit hodhën sende drejt godinës dhe dëmtuan rrethimin e saj, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Ndërkohë të paktën 23 protestues u shoqëruan dhe 7 të tjerë morën trajtim mjekësor në spital.
Nga sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, te bizneset e bankomatet e shkatërruara, koshat e mbeturinave në flakë dhe përplasjet me Policinë, kryeqyteti u përfshi nga akte të dhunshme dhe vandalizmi. Protagonistë me ishin grupe protestuesish me fytyra të mbuluara, të kamufluar si studentë.
Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, e thirrur si një tubim studentor. Pas një ore, situata u përshkallëzua, kur persona me fytyra të mbuluara nisën të hidhnin gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari drejt godinës. Ata shkulën kangjellat, dëmtuan portën dhe thyen xhamat e Ministrisë, ndërsa një grup arriti të hynte në oborr.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë për të shpërndarë turmën, por përplasjet vijuan në disa zona të kryeqytetit. Në Rrugën e Durrësit u sulmua një biznes financiar, ndërsa në rrugë u dogjën kosha mbeturinash.
Gjthuashtu disa protestues të maskuar hynë edhe në godinën e Bashkisë së Tiranës, ku thyen objekte dhe ndezën flakadanë. Në orët e fundit, grupe të vogla vijuan aktet e dhunës te Pazari, Rruga e Barrikadave, Brryli dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është ngritur një grup i posaçëm që do të analizojë të gjitha veprimet e efektivëve, nga fillimi deri në përfundim të protestës.


