Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për shtyp lidhur me situatën e krijuar nga protestat e tri ditëve të fundit, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me dëmtime të institucioneve dhe pronave private.
Në deklaratën e tij, Hita theksoi se Policia e Shtetit nuk i shërben asnjë force politike, por ka detyrimin të zbatojë ligjin dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve. Ai u bëri thirrje prindërve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përfshirjen e nxënësve dhe studentëve në akte dhune.
“Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda. Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës. Policia nuk është pronë e asnjë partie. Ajo është në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. U bëj thirrje prindërve, pedagogëve të mos i lejojnë nxënësit të përdoren në akte dhune. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet dhe pronat e qytetarëve”, deklaroi Hitaj.
Kreu i Policisë së Shtetit u ndal veçanërisht te përbërja e grupeve që, sipas tij, janë përfshirë në sulmet ndaj institucioneve gjatë protestave. Ai tha se personat që kanë kryer veprime të dhunshme nuk përfaqësojnë studentët, por janë rekrutuar nga organizatorë që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.“Ata që sulmojnë nuk janë studentë, por janë persona të rekrutuar nga organizatorët brenda dhe jashtë vendit. Asnjë nga të arrestuarit në ditën e parë nuk rezulton student. Në natën e dytë, një numër shumë i vogël janë studentë”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Hita u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, ndërsa efektivëve u kërkoi profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, por pa u tërhequr përballë dhunës.
“Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor dhe shtetit. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Ju kërkoj që të tregoni profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe të mos provokoheni, por mos u tërhiqni. Pjesëmarrësve u bëj thirrje të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Përgjegjësia është individuale. Do të përballeni me ligjin. Ndaloni dhunën ndaj Policisë! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen”, tha Hita.
Deklarata e Hitajt vjen në një kohë kur protestat kanë hyrë në ditën e tretë dhe janë shoqëruar me incidente të përsëritura në kryeqytet. Gjatë demonstratave janë regjistruar sulme ndaj institucioneve shtetërore, dëmtime të bizneseve dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Fjala e plotë
Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.
Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.
Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.
Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.
Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:
Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!
Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.
©ZëriOnline


