Mes efektivëve të lënduar edhe nën drejtori i Policisë së Durrësit, Idriz Daullja. Avokatja Merita Çela Dakovelli shoqërohet në komisariat gjatë përpjekjes për të përfaqësuar një nga të shoqëruarit.
Protesta e zhvilluar në Durrës është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, me 20 punonjës policie të lënduar dhe 35 persona të shoqëruar në komisariat.

Burime nga spitali bëjnë me dije se 20 efektivë kanë marrë ndihmë mjekësore, pasi janë lënduar nga goditjet me gurë dhe gjatë konfrontimeve. Mes tyre është edhe nën drejtori i Policisë së Durrësit, Idriz Daullja. Disa prej efektivëve janë larguar pas marrjes së mjekimit, ndërsa të tjerët po mbahen në observim, përfshirë edhe nëndrejtorin.
Sipas të njëjtave burime, deri pasdite vonë, në spital nuk është paraqitur asnjë protestues për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, situata të tensionuara vijuan edhe përpara komisariatit të policisë, ku avokatja Merita Çela Dakovelli është shoqëruar nga uniformat blu. Ajo ndodhej aty për të përfaqësuar ligjërisht një prej personave të shoqëruar, por debati me punonjësit e policisë përfundoi me shoqërimin e saj, me pretendimin e policisë për kundërshtim.
Në momentin e ngjarjes, para komisariatit ndodheshin edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Igli Cara, të cilët kanë reaguar menjëherë ndaj veprimit të policisë.
Situata pas protestës mbetet e tensionuar, ndërsa shoqërimet në polici dhe rrethanat e përplasjeve pritet të shoqërohen me reagime të mëtejshme. Është njoftuar që protesta do të vijojë dhe nesër.
©ZëriOnline


