Policia greke ka sekuestruar 63 pako me marijuanë, me peshë totale 70 kilogramë e 80 gramë, gjatë një operacioni të zhvilluar në rrugën “Egnatia”, pranë Tirias.
Sipas informacioneve, antidroga e Patras kishte siguruar të dhëna për një ngarkesë narkotikësh që do të hynte në territorin grek nga Shqipëria.
Agjentët ndoqën automjetin e dyshuar që nga hyrja në Igumenicë dhe mbajtën nën vëzhgim lëvizjet e tij deri në momentin e ngarkimit të drogës pranë kufirit shqiptaro-grek.
Sipas dyshimeve të policisë, trafikantët e kishin sjellë marijuanën nga zona e Sarandës dhe e kishin transportuar me krahë përmes kufirit të gjelbër, për ta ngarkuar më pas në automjetin që priste në territorin grek.
Pas ngarkimit, policia ndërhyri në aksin Igumenicë-Janinë, arrestoi drejtuesin grek të automjetit dhe sekuestroi të gjithë sasinë e lëndës narkotike.
Ky rast i shtohet sekuestrimeve të muajve të fundit në kufirin shqiptaro-grek. Gjatë 14 muajve të fundit, policia greke ka kapur rreth 1.3 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.
Sipas të dhënave të raportuara, linja Sarandë-Igumenicë zë një pjesë të konsiderueshme të trafikut të zbuluar, me dyshimet se pothuajse gjysma e sasisë së sekuestruar ka kaluar përmes këtij korridori.
Trafikantët kanë përdorur si kufirin tokësor, ashtu edhe rrugën detare. Në një nga operacionet e mëparshme në Igumenicë, policia greke sekuestroi edhe një skaf të ngarkuar me drogë.
Sekuestrimi i fundit tregon se trafikantët vazhdojnë të përdorin kufirin e gjelbër në zonën e Sarandës për transportimin e marijuanës drejt Greqisë, ndërsa autoritetet greke kanë identifikuar dhe goditur disa ngarkesa në këtë korridor gjatë 14 muajve të fundit.
©ZëriOnline


