Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë bojkotuar leksionet mëngjesin e kësaj të enjteje, duke nisur protestën e paralajmëruar një ditë më parë. Pas grumbullimit në kampusin universitar në Spitallë, studentët janë nisur në këmbë drejt stadiumit të Durrësit dhe më pas drejt qendrës së qytetit, me destinacion Bashkinë.
Protesta ka nisur në oborrin e kampusit, ku studentët u kanë bërë thirrje të tjerëve t’i bashkohen bojkotit. Më pas, ata janë futur në godinën e Fakulteteve, duke iu drejtuar studentëve që ndodheshin në auditorë për t’u bërë pjesë e protestës.

Thirrjet për bojkot janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe në grupet e komunikimit mes studentëve. Sipas njoftimit të organizatorëve, grumbullimi në Spitallë ishte parashikuar në orën 08:30, ndërsa marshimi po vijon drejt stadiumit dhe qendrës së Durrësit.
Ndërkohë, edhe nxënësit e shkollave të mesme kanë bërë thirrje për bojkot të mësimit në orën 10:30 dhe për t’iu bashkuar protestës në marshimin drejt bashkisë. Stadiumi i qytetit pritet të shërbejë si pikë takimi për studentët dhe gjimnazistët përpara vijimit të protestës në qendër të Durrësit.
©ZëriOnline


