Dy të mitur të arrestuar në lidhje me protestat në Durrës do të hetohen në gjendje të lirë, pasi gjykata ka caktuar për të dy masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Për njërin prej tyre, gjykata ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin, ndërsa për të miturin tjetër e ka vlerësuar atë të ligjshëm.
Sipas dispozitave të Kodit Penal të referuara në vendimet e gjykatës, i mituri i parë akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, në rrethana rënduese, si dhe për pjesëmarrje në grumbullime ose manifestime të paligjshme, sipas neneve 236/2 dhe 262/2.
I mituri i dytë akuzohet për goditje për shkak të detyrës, në rrethanat e parashikuara nga neni 237/3, si dhe për veprën e parashikuar nga neni 262/2, që lidhet me pjesëmarrjen në grumbullime ose manifestime të paligjshme.
Vendimet për masat e sigurisë nuk përbëjnë shpallje fajësie për të miturit.
©ZëriOnline


