Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Lezhë, ku një taksist 50-vjeçar është plagosur me thikë në bark nga një 65-vjeçar.
Raportohet se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:08, në rrethrrotullimin e Shëngjinit. Sipas policisë, ka qenë vetë i plagosuri, i identifikuar me inicialet A. M., i cili ka njoftuar autoritetet për sulmin.
Bëhet me dije se, 50-vjeçari është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si autor i dyshuar është identifikuar shtetasi me inicialet N. N., 65 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në plagosjen e taksistit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe arrestimin e 65-vjeçarit.
“Rreth orës 13:08, është marrë njoftim nga shtetasi A. M., 50 vjeç, banues në Lezhë, me profesion taksist, se në rrethrrotullimin e Shëngjinit është goditur me mjet prerës (thikë) në bark nga shtetasi N. N., 65 vjeç.
50-vjeçari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar, shtetasi N. N., 65 vjeç, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është shpallur në kërkim.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të motivit të ngjarjes, si dhe për kapjen e autorit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
©ZëriOnline


