Një 32-vjeçar është arrestuar këtë të hënë në Tiranë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 47 pako me fishekzjarrë, për të cilat nuk dispononte licencën e shitjes dhe dokumentacionin që vërtetonte blerjen e tyre.
Në pranga ka rënë Dionis Beqiri, ndaj të cilit policia ka ngritur dyshime se furnizonte me lëndë piroteknike persona të maskuar që morën pjesë në protestën e së shtunës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Fireworks 2”, të organizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare. Kontrollet synonin identifikimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme, të cilat mund të përdoren për veprime të dhunshme kundër punonjësve të policisë dhe objekteve publike apo private.
Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, në rrugën “Zela”, u sekuestruan 47 pako me fishekzjarrë. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ai nuk ishte i pajisur me licencë për tregtimin e tyre dhe nuk kishte dokumentacionin shoqërues të blerjes.
Policia dyshon se Beqiri u kishte shitur lëndë piroteknike personave të maskuar që morën pjesë në protestën e së shtunës, me qëllim përdorimin e tyre në veprime të dhunshme. Ky dyshim mbetet objekt hetimi dhe duhet të provohet nga organet kompetente.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


