Një 37-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në portën e banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, Aleksandra Elmazaj.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Luar, ndërsa policia ka identifikuar dhe arrestuar si autor të dyshuar Besmir (Erjon) Mustajn, banues në Roskovec.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, ndërhynë pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë zjarri.
Nga veprimet hetimore, policia dyshon se 37-vjeçari ka qëlluar për motive të dobëta para banesës së ish-bashkëjetueses së tij.
Përveç përdorimit të armës së zjarrit, ndaj Mustajt rëndojnë dyshimet edhe për dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Policia nuk ka dhënë hollësi për përmbajtjen e vendimit gjyqësor që dyshohet se 37-vjeçari ka shkelur, ndërsa mbeten për t’u sqaruar rrethanat e plota të konfliktit.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
©ZëriOnline


