Pas më shumë se një viti dhimbje, familja e 22-vjeçares shqiptare përjeton një moment lehtësimi pas vendimit të gjykatës italiane. Gezime Sula largohet nga salla e gjyqit me lot në sy dhe një mesazh për të bijën: “Engjëlli im, tani pusho në paqe”.
“Engjëlli im, tani pusho në paqe”. Këto qenë fjalët e Gezime Sulës, nënës së Ilaria Sulës, teksa largohej nga salla e gjyqit në Rebibbia, në Romë, pas dënimit me burgim të përjetshëm të Mark Antony Samson, ish-të dashurit të vajzës së saj, i shpallur fajtor për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare.
Mes lotësh dhe e mbështetur nga familjarët, Gezime Sula i dha një lamtumirë të dhimbshme së bijës, me shpresën se vendimi i drejtësisë do t’i sjellë të paktën pak paqe shpirtit të saj. Në krah kishte bashkëshortin Flamur dhe djalin Leon, të cilët ndanë me të emocionet e forta pas shpalljes së vendimit.
Gjykata e Assizes në Romë dënoi me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë. Trupi gjykues njohu rrethanat rënduese të paramendimit, motiveve të ulëta dhe të parëndësishme, si dhe marrëdhënies së mëparshme mes autorit dhe viktimës. Ai u shpall fajtor edhe për fshehjen e trupit.
Ilaria u vra në mars të vitit 2025, në moshën 22-vjeçare. Studentja e Universitetit La Sapienza në Romë u godit disa herë me thikë nga ish-i dashuri, i cili më pas e vendosi trupin e saj në një valixhe dhe e hodhi në një greminë në zonën e Capranica Prenestina. Trupi u gjet më 2 prill 2025.
“Dënimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne”
Pas shpalljes së vendimit, edhe babai i Ilaria-s, Flamur Sula, foli për dhimbjen që asnjë dënim nuk mund ta shuajë.
“U bë drejtësi, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, vajza ime nuk merr më frymë”, u shpreh ai, duke e cilësuar vendimin një moment të rëndësishëm për drejtësinë, por jo një zgjidhje për humbjen e familjes.
Ai u bëri gjithashtu thirrje të rinjve që të mos heshtin përballë problemeve dhe të flasin me prindërit e miqtë e tyre, duke theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë.
Ndërsa nëna e Ilarias përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për djemtë dhe vajzat: vajzat duhen respektuar, dashur dhe trajtuar me dashuri, jo me dhunë.
Në prill të këtij viti, Gezime Sula kishte rrëfyer për mediat italiane dhimbjen e papërshkrueshme që përjetoi pas vrasjes së të bijës. Ajo tregoi se kishte dashur të kujdesej vetë për trupin e Ilaria-s, ta lante, ta përkëdhelte dhe t’i kushtonte për herë të fundit kujdesin që i kishte dhënë gjatë gjithë jetës.
Nëna kishte dalë për të blerë një fustan dhe këpucë për vajzën, duke dashur ta përcillte sa më bukur, por këto blerje, që duhej të ishin për një festë, u kthyen në përgatitjet më të dhimbshme të jetës së saj.
Ilaria ishte vetëm 22 vjeçe. Studionte, kishte ëndrra dhe synonte të përfundonte universitetin. Gezimja e kishte imagjinuar ditën kur do ta përqafonte të bijën me krenari, me kurorën e dafinës në kokë, në ceremoninë e diplomimit.
Në vend të asaj dite, iu desh të zgjidhte veshjen për funeralin e saj.
“Vajza ime duhej të përgatitej për të jetuar ditët më të bukura të rinisë së saj. Nuk duhej të ishte nëna e saj që ta përgatiste për funeralin”, ishte mesazhi prekës që përmblidhte rrëfimin e saj të mëparshëm.
Pas vendimit të gjykatës, dhimbja e familjes mbetet e pandryshuar, por për Gezime Sulën, fjalët e pëshpëritura teksa largohej nga salla e gjyqit qenë një lamtumirë e re për të bijën: një lutje që Ilaria, së cilës iu ndërpre jeta në moshën 22-vjeçare, të mund të pushojë më në fund në paqe.
©ZëriOnline


