Në Islandë, nuk tallesh me natyrën… dhe as me elfët. Po, po e lexuat mirë. Në këtë cep magjepsës të botës, të mbushur me vullkane, gejzerë dhe peizazhe që duken si nga një film fantastiko-shkencor, ekziston ende një besim i gjallë se qenie të vogla, të padukshme, të njohura si huldufólk, ose “njerëzit e fshehur”, jetojnë midis shkëmbinjve, kodrave dhe fushave të lavës.
Por nuk bëhet fjalë thjesht për përralla që u tregohen fëmijëve para gjumit. Ky besim është bërë pjesë e mënyrës se si funksionon shoqëria islandeze. Nëse një kantier ndërtimi, një rrugë apo një tunel rrezikon të prishë një vend që konsiderohet si shtëpi e elfëve, punimet jo rrallë herë ndalohen, projekti ndryshohet ose devijohet për të mos “shqetësuar” këta banorë të padukshëm. E gjitha kjo ndodh jo domosdoshmërisht nga frika, por nga një respekt i thellë për traditën, mitologjinë dhe peizazhin që i mban gjallë.
Madje, në disa raste të dokumentuara, projektet infrastrukturore janë modifikuar ndjeshëm vetëm për të respektuar këtë besim të hershëm. Sepse edhe ata që nuk besojnë plotësisht te elfët, janë të bindur se nuk ia vlen të sfidosh shpirtrat vendas. Në fund të fundit, nuk dhemb të jesh i kujdesshëm dhe ndoshta, kështu i shpëton një gome të shpuar në mes të askundit.
Ky respekt për të kaluarën dhe mitet e trashëguara është një shembull domethënës edhe për ne shqiptarët. Edhe pse përballemi çdo ditë me ritmin e shpejtë të modernizimit dhe ndikimeve të globalizmit, me ndërtesat shumëkatëshe që na zaptojnë hapësirat e përdhosin të kaluarën duke e fundosur atë, është e rëndësishme të ndalemi e mos harrojmë rrënjët tona. Traditat, legjendat dhe zakonet e vendit tonë, qofshin ato të lidhura me festat, mikpritjen, mitet e vendlindjes apo respektin për natyrën. Ato janë pasuri e çmuar shpirtërore që i japin identitet shoqërisë sonë. Ashtu si islandezët që ndalin makineritë për të mos prishur paqen e elfëve, edhe ne duhet të kujtojmë se ruajtja e trashëgimisë sonë kulturore është një akt dashurie ndaj vetes dhe brezave që vijnë.
©️zërionline


