Plazhi i Durrësit është përfshirë nga reshje të lehta shiu gjatë natës dhe orëve të paradites këtë fundkorrik, por moti i paqëndrueshëm nuk ka penguar pushuesit të vijojnë qëndrimin në bregdet. Përkundrazi, shumë prej tyre e kanë pritur me kënaqësi freskimin e temperaturave, pas ditëve të nxehta të javëve të fundit.
Reshjet, ndonëse të dobëta, kanë ndikuar në uljen e temperaturës, duke krijuar një atmosferë më të freskët dhe më të përballueshme në plazh. Pamjet nga zona bregdetare tregojnë një prani të konsiderueshme pushuesish që kanë zgjedhur të qëndrojnë nën çadra, të shëtisin përgjatë bregut, apo të shijojnë detin edhe në këtë mot me shi të lehtë.
“Nuk është aspak problem. Përkundrazi, është kënaqësi. Shiu freskoi gjithçka dhe nuk na pengoi të vijonim ditën tonë në plazh”, u shpreh një pushuese nga Tirana, që ndodhej me familjen në bregdet.

Edhe operatorët turistikë konfirmojnë se reshjet e sotme nuk kanë ndikuar negativisht në fluksin e vizitorëve, përkundrazi, sipas tyre, klima më e freskët ka nxitur shumë të tjerë të vijnë në plazh gjatë pasdites.
“Shiu i lehtë i sotëm ka qenë si dhuratë. Pushuesit nuk janë larguar dhe përkundrazi, kemi parë që shumë kanë ardhur pasdite për të shfrytëzuar këtë freski”, tha një menaxher çadrash në zonën e plazhit.

Ndërsa jemi në ditët e fundit të korrikut, ky ndryshim i lehtë i kushteve atmosferike po i jep një tjetër ritëm sezonit veror, duke e kthyer qëndrimin në bregdet në një përvojë më të freskët dhe më të këndshme për të gjithë ata që zgjedhin Durrësin si destinacion pushimi.
©️zërionline


