Pasi për disa vite u la në mëshirë të fatit, mbuluar nga barërat dhe më pas padrejtësisht mbeti i izoluar dhe dëmtuar brenda rrethimit të portit më të madh në vend, “Muri i Portezit”, një pasuri e trashëgimisë kulturore të Kategorisë së Parë, pritet t’i nënshtrohet një projekti restaurues.
Në ditën e fundit të mandatit të tij, ministri në detyrë i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me kompaninë koncesionare “Porti MBM”, e cila do të financojë ndërhyrjet restauruese.


“Nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Koncesionare ‘PORTI MBM’ për restaurimin e pasurisë kulturore ‘Muret e Portës (Porto Romano)’ në Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, i cili daton në shek. VI-të erës sonë. Përmes kësaj marrëveshjeje, kompania do të mbulojë shpenzimet për ndërhyrjet restauruese në përputhje me kriteret, duke mundësuar ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti të vyer”, shkruan Gonxhe në një njoftim publik.
Sipas marrëveshjes, muret do të jenë të aksesueshme për publikun dhe do të menaxhohen nga institucionet shtetërore të trashëgimisë kulturore.
Një pasuri me rëndësi historike
“Muret e Porto Romanos” konsiderohen një nga dëshmitë më të hershme të historisë urbane të Durrësit, duke datuar në shekullin VI të erës sonë. Ato janë pjesë e mbetjeve të fortifikimeve bizantine, që dëshmojnë për rolin strategjik të qytetit në rrugët tregtare dhe ushtarake të Mesdheut.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit monumenti nuk ka qenë i vizitueshëm. Ai ndodhet brenda territorit të portit MBM, i rrethuar me tela dhe i padisponueshëm për qytetarët apo turistët.
Përtej optimizmit të njoftimit, a vlen kjo marrëveshje në kushtet e reja të krijuara së fundmi?
Pas riformatimit të kabinetit qeveritar, ministria që drejtonte Gonxhe nuk do të ekzistojë më nën të njëjtin emër. Ajo do të ndahet në Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, kjo e fundit do të drejtohet nga Delina Brahimaj. Ky ndryshim ngre dyshime nëse marrëveshja e nënshkruar do të ketë vlerë juridike e praktike, apo nëse kompania private Kastrati Group mund ta shpallë të pavlefshme në çdo moment.
Rreziku është që Muri i Portëz, që prej kohësh është shkëputur nga publiku. Ai dhe pjesa tjetër e fortifikimit mbeten sërish pa mbrojtje dhe jashtë vëmendjes së shtetit, duke humbur një tjetër mundësi për t’u shpëtuar nga degradimi dhe prishja.
Ky rast tregon dilemat që krijohen kur pasuritë kulturore varen nga marrëveshje të përkohshme mes shtetit dhe operatorëve privatë. Nga njëra anë, investimet private janë një burim i rëndësishëm për restaurimin e monumenteve, nga ana tjetër, mungesa e një kuadri të qëndrueshëm ligjor dhe institucional lë hapësirë për pasiguri dhe vonesa në mbrojtjen e trashëgimisë.
Nëse marrëveshja do të zbatohet realisht, ajo do të ishte një hap i rëndësishëm për shpëtimin dhe rijetëzimin e këtij monumenti të vyer. Por nëse mbetet vetëm një akt formal në ditët e fundit të një mandati, atëherë “Muri i Portëz” rrezikon të mbetet sërish i harruar, i mbyllur pas rrethimit të portit, larg syve të qytetarëve dhe vizitorëve.
©️zërionline


