Kapet në Muriqan kolumbiani i kërkuar për trafikim femrash, pjesë e operacionit “Storm 9”

Date:

Share post:

Një tjetër zhvillim në hetimet për rrjetin e trafikimit të femrave në Durrës. Pas katër ditësh ndjekjeje intensive, policia ka vënë në pranga një 28-vjeçar kolumbian, i cili ishte shpallur në kërkim si pjesë e grupit që rekrutonte vajza nga Amerika Latine për t’i shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri. Arrestimi i tij u bë në pikën kufitare të Muriqanit, në vijim të operacionit të koduar “Storm 9”, që po zbardh detaje të reja mbi veprimtarinë e këtij rrjeti kriminal.

Sipas të dhënave zyrtare, Duvan Gomez, 28 vjeç, u kap pas një bashkëpunimi mes strukturave të DVP Durrës dhe Policisë Kufitare të Muriqanit, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për “Trafikim të personave të rritur” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Hetimet kanë zbuluar se ky shtetas rekrutonte gra kolumbiane, duke u premtuar punësim në Shqipëri kundrejt një pagese prej 3000 eurosh, por pasi ato mbërrinin në vend, i detyronte të ushtronin prostitucion.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi tre aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin për komunikim dhe organizimin e veprimtarisë kriminale.

Operacioni “Storm 9”, i zhvilluar pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, kishte çuar më herët në identifikimin e disa personave të përfshirë dhe në zbulimin e një apartamenti me qira në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dy shtetase kolumbiane ushtronin prostitucion dhe shisnin lëndë narkotike.

Burime nga policia bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar, që dyshohet se ka vepruar edhe në vende të tjera të rajonit.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të të arrestuarit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...