Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme qytetin e Durrësit, ku një i ri goditi me thikë dhe vrau babanë e tij, përpara se të largohej në drejtim të paditur.
Viktima u identifikua si Pjetër Kodheli, ndërsa autori i dyshuar, djali i tij 25-vjeçar, Marjan Kodheli, ishte kthyer prej pak ditësh nga jashtë vendit. Mësohet se i riu ka përjetuar edhe një humbje të rëndë në familje disa muaj më parë, pas vdekjes së nënës së tij. Sipas banorëve të fshatit, viktima ishte baba i 6 fëmijëve dhe me origjinë nga Mirdita.
Policia nisi menjëherë ndjekjen e autorit dhe pas dy orësh kërkimesh intensive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” mundësuan lokalizimin dhe arrestimin e tij në lagjen nr. 13 të Durrësit. Gjatë kontrollit, tek i riu u gjet dhe u sekuestrua mjeti prerës (thika), që dyshohet se u përdor për kryerjen e krimit.
Burime policore bëjnë me dije se 25-vjeçari dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie familjare.


