Ish-kryebashkiaku, Erion Veliaj, mbërrin në Gjykatën Kushtetuese. Këtë të premte, në orën 10:00, nis seanca për ankimin e tij për shkarkimin nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Nga paraburgimi i Durrësit ku mbahet prej muajit shkurt, Veliaj u shoqërua drejt Tiranës nga efektivët e Drejtorisë së Burgjeve, pas kërkesës së gjykatës për t’i mundësuar pjesëmarrjen.
Vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt u mor më 25 shtator nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke u mbështetur në nenin 62, pika “c” të ligjit për vetëqeverisjen vendore, me argumentin se ai kishte munguar në detyrë për më shumë se tre muaj.
Pas këtij zhvillimi, Presidenti Bajram Begaj dekretoi më 1 tetor zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, por edhe ky dekret u kundërshtua nga Veliaj në Kushtetuese. Me një vendim të ndërmjetëm, gjykata pezulloi zbatimin e dekretit derisa të shqyrtohet përfundimisht ligjshmëria e shkarkimit.
Seanca e sotme pritet të jetë vendimtare për fatin e Erion Veliaj.


