Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka bllokuar një kamion me 25 ton misër blegtoral, i cili po hynte në Shqipëri nga Serbia, përmes doganës së Hanit të Hotit. Gjatë kontrollit rutinë në pikën doganore, specialistët e AKU-së konstatuan se në sasinë e misrit ishte e pranishme aflatoksina B1, në nivele mbi normat e lejuara nga legjislacioni shqiptar.
Sipas burimeve, ndonëse sasia e aflatoksinës së gjetur konsiderohet brenda kufijve të lejuar në disa vende të Bashkimit Europian, në Shqipëri standardet janë më të rrepta, ndaj dhe produkti nuk mund të lejohej të hynte për konsum blegtoral. Për këtë arsye, kamioni me destinacion Elbasanin u ndalua menjëherë dhe sasia prej 25 tonësh u bllokua deri në marrjen e masave të mëtejshme.
Ndërkohë, AKU Shkodër ka ndërmarrë një tjetër masë parandaluese, duke bllokuar një fermë qumështi në fshatin Trush, pas evidentimit të disa parregullsive gjatë kontrollit të inspektorëve në terren. Autoriteti nuk ka dhënë detaje shtesë mbi shkeljet, por thekson se kontrollet po vijojnë me intensitet në gjithë qarkun për të garantuar sigurinë ushqimore.
AKU njofton se do të vazhdojë të monitorojë hyrjet e mallrave në kufi dhe subjektet prodhuese të qumështit, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çdo rreziku për shëndetin publik.


