Lamtumirë Peppe Vessicchio, dirigjenti që i dha zemër Sanremos dhe muzikës italiane

Date:

Share post:

Italia dhe bota e muzikës humbën këtë fundjavë, më 8 nëntor, një nga figurat më të dashura të skenës: Peppe Vessicchio, dirigjent, kompozitor dhe orkestrues i njohur, u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare në spitalin San Camillo të Romës, pas një pneumonia intersticiale që u përkeqësua me shpejtësi. Lajmi tronditi publikun italian, artistët dhe të gjithë ata që e kanë ndjekur ndër vite me simpati, duke përfshirë edhe shumë shqiptarë që e presin me fanatizëm Festivalin e Sanremos, ku emri i tij ishte prej dekadash sinonim i muzikës cilësore.

“Dirige l’orchestra il maestro Peppe Vessicchio”, kjo frazë ikonike e Sanremos është e ngulitur në kujtesën kolektive. Vessicchio u bë figurë kult, i dashur jo vetëm për artin e tij, por edhe për praninë e ngrohtë, flokët karakteristike dhe karizmën që e shoqëronte në çdo skenë. Për këdo, shfaqja e tij në listën e dirigjentëve të festivalit ishte shpesh një lajm më vete, një detaj që duhej konfirmuar, një “ritual” i çdo edicioni.

Një karrierë brilante që kaloi dekada

I lindur në Napoli më 17 mars 1956, Vessicchio nisi rrugëtimin mes studios, skenave dhe bashkëpunimeve me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës italiane: Gino Paoli, Edoardo Bennato, Peppino di Capri, Andrea Bocelli, Ornella Vanoni, Ron, Zucchero, Elio e le Storie Tese, Biagio Antonacci dhe shumë të tjerë.

Fitoret e tij në Sanremo si dirigjent, katër herë kampion i podiumit (2000, 2003, 2010, 2011), e vendosën në panteonin e festivalit. Herën e fundit doli në skenën e Aristonit në vitin 2022, duke performuar me Le Vibrazioni në një version të fuqishëm të “Live and Let Die”.

Por Vessicchio ishte shumë më tepër se Sanremo: një studiues serioz i muzikës, një autor kreativ, një njeri me humor të hollë dhe një kuriozitet të pashtershëm. Madje vitet e fundit ishte bërë i njohur edhe për “eksperimentet” me domatet, të cilave u kushtoi një libër të tërë “La musica fa crescere i pomodori” duke eksploruar lidhjen mes tingullit dhe rritjes së bimëve.

Vetëm pak ditë më parë kishte publikuar librin e ri për të rinjtë, “Bravo Bravissimo!”, kushtuar gjenialitetit të Mozartit, ndërsa në mars 2026 do të niste një turne teatror të shumëpritur me kantautorin Ron.

Homazhe të njëzëshme: “Iku një institucion”

Menjëherë pas lajmit të trishtë, rrjetet sociale dhe mediat u mbushën me dedikime.

Carlo Conti, një nga fytyrat më të njohura të televizionit italian, shkroi:
“Me maestro Vessicchio largohet një tjetër protagonist i madh i festivalit dhe muzikës italiane. Me karakterin, figurën, karizmën dhe profesionalizmin e tij ishte kthyer në një institucion.”

Fabio Fazio, gazetari dhe prezantuesi që e ka pasur shpesh të ftuar, e përshkroi kështu:
“Një njeri i ëmbël dhe i sjellshëm. Një mik. Një muzikant i madh. Një njeri që kuptonte gjithmonë anën lozonjare të spektaklit. Kam shumë kujtime me të… na lidhte respekti i ndërsjellë dhe një miqësi e vërtetë.”

Ndërkohë, kryebashkiaku i Sanremos, Alessandro Mager, tha se ishte “thellësisht i prekur” nga humbja e një figure që e kishte nderuar qytetin.

Vessicchio lë pas bashkëshorten Enrica Mormile dhe vajzën Alessia. Familja ka kërkuar që funerali të zhvillohet në formë strikt private, në heshtje dhe respekt të plotë.

Një trashëgimi që nuk shuhet

Peppe Vessicchio nuk ishte vetëm dirigjent i Sanremos. Ai ishte një simbol i një brezi, një fytyrë që vinte qetësi, art, delikatesë dhe pasion. Muzika italiane humbi sot një mjeshtër të madh; Sanremo humbi personazhin që e bënte frazën “dirige l’orchestra” pjesë të kulturës pop; publiku humbi një mik që sillte buzëqeshje sa herë shfaqej në skenë.

Por tingulli i dirigjimit të tij, mënyra si ngrinte duart dhe magjia që krijonte mbi podium do të mbeten të paharrueshme, për italianët, por edhe për shqiptarët që e ndoqën prej vitesh dhe për të gjithë ata që besojnë se muzika është para së gjithash ndjenjë.

Lamtumirë Maestro!

spot_img

Artikuj të lidhur

Matura Shtetërore/ Mbi 2200 maturantë në Durrës dhanë sot provimin e parë

Rreth 2,214 maturantë iu drejtuan sot 11 qendrave të administrimit për provimin e parë të Maturës Shtetërore 2026,...

Grabitet me armë OTP BANK në Tiranë

Një grabitje ka ndodhur ditën e sotme brenda një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake,...

Eurobasket: Kristi Gorea shpallet qendra më e mirë, pjesë e ekipit ideal të Shqipërisë

Basketbollisti durrsak, kapiteni i Teutës Kristi Gorea ka marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme të karrierës së...

Matura Shtetërore/ 26 mijë nxënës i nënshtrohen provimit të parë, Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të...