Kundërshtohet sërish projekti TID, Protestë dhe debate në Këshillin Bashkiak të Durrësit

Date:

Share post:

Banorë të qendrës historike të Durrësit protestuan sërish këtë të martë kundër projektit “Transformimi i Integruar i Durrësit” (TID), i cili parashikon prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre në kuadër të rijetëzimit të kësaj zone në funksion të zhvillimeve të shpejta turistike të qytetit. Banorët protestues u mblodhën para Bashkisë duke kërkuar ndërhyrjen e Këshillit Bashkiak për zgjidhjen e problemeve që prekin 74 familje durrsake, duke theksuar se po mbrojnë jo vetëm pronën, por edhe dinjitetin qytetar.

Brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku zhvillohej mbledhja e radhës, projekti TID shkaktoi debat dhe injorim, pasi ishte pjesë e pikës së fundit të rendit të ditës, diskutimeve. Këshilltarët e opozitës dolën në krah të protestuesve dhe kërkuan nga Bashkia informacion të qartë mbi procedurat dhe fazat e projektit, duke ngritur dyshime për mungesë transparence dhe anashkalim të rolit të pushtetit vendor në mbrojtje të qytetarëve të vet.

Në mbledhje, në krah të banorëve të prekur u shprehën këshilltarët Anisa Ibraj, Ardian Muka dhe Edlira Harizi që ngritën pyetje mbi fatin dhe procedurat e dyshimta që ‘e transformuan projektin nga restaurues në shkatërrues”.

Në përgjigje të tyre, nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani, tha se projekti është hartuar prej të paktën katër vitesh dhe se banorët janë informuar përmes disa dëgjesave publike në vitet 2021-2022. Projekti zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe synon transformimin urban të zonës historike të qytetit.

Por banorët kundërshtojnë procedurat, duke pretenduar se projekti gjatë rrugës e ka humbur qëllimin e tij restaurues, ndërsa vlerat e shpronësimit janë shumë më të ulëta se vlera reale e tregut. Sipas tyre, përzgjedhjet e objekteve janë selektive dhe nuk prekin të gjithë ndërtesat, madje disa prej tyre, sipas banorëve, tolerohen keqazi edhe pse ndodhen më afër mureve të kalasë.

Në përfundim të mbledhjes, arkitektja urbaniste Entela Koja, një prej zërave më aktivë të banorëve, deklaroi se nuk mori asnjë përgjigje nga Bashkia për pyetjet e ngritura dhe akuzoi institucionet vendore për shmangie të ligjit dhe kompetencave. Edhe mjekja Edlira Harizi, këshilltare bashkiake, iu bashkua protestës pas mbledhjes, duke theksuar se do të mbështesë banorët në kërkesën për të drejtat e tyre dhe ruajtjen e trashëgimisë së vjetër qytetare.

Banorët kërkojnë pezullimin e procesit dhe një dialog të hapur me autoritetet, ndërsa paralajmërojnë se protestat do të vijojnë. Sipas tyre, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak duhet të ndalojnë projektin, megjithëse ai nuk miratohet nga Këshilli Bashkiak, pasi është formalizuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga AADF.

Drejtorja ligjore e Bashkisë, Alneida Rroshi, sqaroi se zona TID ndodhet brenda Zonës Arkeologjike A, e karakterizuar nga arkitekturë e përzier, kryesisht italiane e viteve ’30, dhe se çdo ndërhyrje kërkon vlerësime të detajuara. Ajo shtoi se projekti nuk ka kaluar në Këshillin Bashkiak pasi është i miratuar me VKM dhe financohet tërësisht nga AADF. Ndërkohë, lista me familjet dhe vlerat e shpronësimeve është miratuar nga Këshilli Bashkiak më 23 qershor 2025.

Protesta vijoi edhe pas mbledhjes, me banorët të vendosur të mos tërhiqen deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për komunitetin.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Miqësorja Shqipëri-Izrael/ Policia publikon planin e masave: Rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka bërë publike planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe...

Matura Shtetërore/ Mbi 2200 maturantë në Durrës dhanë sot provimin e parë

Rreth 2,214 maturantë iu drejtuan sot 11 qendrave të administrimit për provimin e parë të Maturës Shtetërore 2026,...

Grabitet me armë OTP BANK në Tiranë

Një grabitje ka ndodhur ditën e sotme brenda një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake,...

Eurobasket: Kristi Gorea shpallet qendra më e mirë, pjesë e ekipit ideal të Shqipërisë

Basketbollisti durrsak, kapiteni i Teutës Kristi Gorea ka marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme të karrierës së...