Puna e gazetarëve në të gjitha trevat shqipfolëse nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u vlerësua me çmimet e dhëna për gazetarët e ekonomisë, të sportit, çmimet e raportimit më të mirë, çmimin e karrierës dhe çmimin special.
Në një ceremoni të zhvilluar sot në Ambasadën gjermane në Tiranë, ku të pranishëm ishin Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, ambasadori Karl Bergner dhe disa personalitete të fushës së gazetarisë në vend, u vlerësuan me çmime disa gazetarë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se “Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit historik, pranë BE-së”.
“BE është një hapësirë e madhe, të cilën duhet ta shfrytëzojmë, ta njohim dhe t’ia sjellim publikut. Sfidat që sjell BE, standardet e reja që duhet të krijojmë në politikë, në shoqëri, sipërmarrje janë shumë të mëdha dhe kanë nevojë të njihen nga qytetarët. Gazetaria ka një rol të jashtëzakonshëm. Një element ku duhet të bëhet më shumë është transparenca, pra duhet të jemi më të hapur, ndaj jush dhe ta bëjmë informacionin më të aksesueshëm. Në Kuvend po punojmë për ndërtimin e një qendre mediatike që gjithçka që ndodh në Kuvend, të jetë i aksesueshëm në kohë reale nga ju”, tha Peleshi.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku u shpreh se sot është shumë e vështirë të bëhet gazetari cilësore.
Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Karl Bergner, si pritës i eventit tha gjatë fjalës përshëndetëse se “Gjermania i mbështet nisma të tilla jo vetëm në kuadër të integrimit në BE, po mbështet edhe nisma të tjera përmes partnerëve të vet siç është GIZ. Përmes tyre, ne nxisim jo vetëm përmbajtjen, por edhe elementin komercial të këtyre strukturave mediatike. Në janar të vitit tjetër do të kemi të parën thirrje Open Call në kuadër të këtij konkursi. Pa punën e gazetarëve, një Shqipëri në perspektivë dhe përparim do të ishte e pamundur”.
Ndërkaq, kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa u shpreh se organizata që ai drejton është më masivja në komunitetin e gazetarëve shqiptarë në hapësirën shqiptarë, “me një kontribut që po shkon në dy dekada, UGSH ka qenë një zë i maturuar dhe reagues në kohën e duhur. UGSH vlerëson të cilësishmit”, tha Çipa.
Çmimi i “Gazetarit sportiv të vitit” për gazetarin e ndjerë Saimir Demi, u tërhoq nga familjarët e tij. Gazetari i njohur sportiv, Saimir Demi u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, në mars të këtij viti.
Gjithashtu, çmimi “Karriera II”, i akorduar për gazetarin e ndjerë Artur Zheji, u tërhoq nga bashkëshortja e tij. Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare në muajin gusht.
Çmimet e gazetarëve për vitin 2025:
Fitues të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë:
Eliza Gjediku
Ilda Hoxha
Uran Haxha
Anëmsha Shabani
Çmimi “Raportimi më i mirë i vitit”– Florian Goga
Çmimi “Reporteri më i mirë i vitit”– Eraldo Harlicaj
Çmimi special – Besim Dybeli
Çmimi “Gazetari sportiv i vitit”– Saimir Demi
Çmimi i “Karrierës I” – Nazim Rashidi
Çmimi i “Karrirës II”– Artur Zheji
©️zërionline


