Detaje të reja dalin në dritë nga zjarri i rënë pasditën e sotme në parkun e autobusëve në lagjen nr. 15 të Durrësit, në sektorin “Rinia”, pranë “Eco Park”. Sipas shërbimit zjarrfikës, autobusat që ishin të parkuar njëri pas tjetrit kishin brenda goma, bidona me naftë dhe materiale të tjera lehtësisht të djegshme, gjë që ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Si pasojë, janë shkrumbuar plotësisht 10 autobusë të vjetër. Zjarrfikësit bëjnë me dije se ndërhyrja e tyre ka qenë vendimtare për të ndaluar përhapjen e zjarrit drejt autobusëve dhe kamionëve të tjerë, në pronësi të një biznesi transporti udhëtarësh dhe mallrash nga Tirana, që ndodheshin pranë zonës së përfshirë nga flakët. Burime nga policia thanë se sipas pronarit, autobuzat përdoreshin si strehë dhe nga endacakët, të cilët mund të kenë lënë ndezur ndonjë zjarr për t’u ngrohur e janë larguar. Gjithsesi hetimet nga ekspertët pritet të përcaktojnë zyrtarisht shkakun e zjarrit, që ra rreth orës 13:00, ndërsa për shkak të trafikut të rënduar të fundvitit, mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur me vonesë në vendngjarje. Megjithatë, pas disa minutash përpjekjesh intensive, flakët janë vënë nën kontroll dhe zjarri u shua.
Nga ana tjetër, Policia e Durrësit thotë se po punohet për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të tij.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Hetimet për ngjarjen janë në vijim.
©️zërionline


