Kur një futbollist 18-vjeçar hap derën e shtëpisë së tij për publikun, nuk është thjesht një tur virtual. Është një dritare drejt mënyrës se si bashkëjetojnë fama, suksesi i parakohshëm dhe adoleshenca. Këtë ka bërë Lamine Yamal, duke publikuar në YouTube një video gati 11-minutëshe, ku shfaqet pa filtra, larg fushës dhe larg stadiumeve plot zhurmë.
Në shoqërinë e Moha dhe Soha, kushëri dhe mik i ngushtë, Yamal tregon një shtëpi në prag zhvendosjeje, të mbushur me kuti, rroba të sistemuara për ikje dhe një rrëmujë që nuk fshehet. Jo një luks i ftohtë, por një hapësirë ku dallohet qartë mosha: kuzhinë e papërdorur, lojëra, PlayStation dhe objekte që flasin për një djalë që jeton mes stërvitjes dhe argëtimit.
Ajo që bie më shumë në sy është kontrasti. Në një cep, rafte plot me trofe dhe çmime që shumë futbollistë i ëndërrojnë pas një dekade karriere; në tjetrin, deodorantë ambienti, kapele, xhaketa dhe detaje krejt të zakonshme. Mes tyre, Yamal ndalet te ajo që e quan “gjëja më e çmuar”: topi i golit kundër Francës në gjysmëfinalen e Euro 2024, një kujtim që peshon më shumë se çdo kupë.
Videoja nuk ka ton mburrës. Përkundrazi, Yamal flet me natyrshmëri, bën shaka dhe pranon dobësitë e tij: biskotat e fshehura për netët e urisë, rrëmuja që nuk e shqetëson dhe tarraca që nuk përdoret kurrë, nga frika e syve kureshtarë të fqinjëve. Detaje të vogla që e zbresin yllin nga piedestali dhe e kthejnë në një djalë të zakonshëm.
“Nuk kam shtëpinë e 50 Cent”, thotë me humor, ndërsa tregon kufjet e arta dhe albumin e Dr. Dre, duke pranuar se i mungon edhe një gramafon. Mes dhuratave nga sponsorët, çmimeve të Marca-s dhe fanellave të futbollistëve, videoja mbyllet pa skenar të ndërlikuar: thjesht një xhiro në jetën e përditshme.
Dhe kjo nuk është një video për luksin, por për balancën e vështirë mes famës dhe moshës. Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën kaq tërheqëse: publiku nuk sheh vetëm talentin e Barcelonës, por edhe njeriun pas fanellës.
©️zërionline


