Nga Alessandro Volpi
Sulmi ndaj Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe tejet i rrezikshëm, për një sërë të pafund arsyesh. Por mua më intereson të nënvizoj një prej tyre. Ai përbën dëshminë e qartë të krizës së thellë të SHBA-së, të cilat janë të shtypura nga një borxh federal jashtë kontrollit, nga një borxh privat që nuk është më i përballueshëm për popullsinë amerikane, nga një deindustrializim rrënjësor – i nxjerrë hapur nga konkurrenca kineze – nga një inflacion gati të shpërthejë për shkak të tarifave doganore dhe, nëse Trump do t’i urdhërojë Rezervës Federale uljen e normave të interesit, si edhe nga një flluskë financiare gjigante tashmë në kufijtë e saj.
Përballë kësaj gjendjeje, Trump ka zgjedhur zgjidhjen e luftës, duke sulmuar një vend jashtëzakonisht të pasur me burime, për të ringjallur ekonominë e brendshme dhe për të mbrojtur flluskën financiare. Në fund të fundit, e gjithë strategjia e Trump shkon në drejtim të përvetësimit të burimeve dhe shumëfishimit të interesave amerikane në Amerikën Latine, për të kundërshtuar depërtimin kinez: mjafton të mendohet për çështjen e Kanalit të Panamasë, ose për qendrën kineze në Peru dhe presionet amerikane në Kolumbi, Uruguai dhe Kili, pa përmendur shpëtimin e Mileit dhe sulmet ndaj Lulës.
SHBA-të, në një rënie të thellë, po zgjedhin luftën si mjet për zgjidhjen e tensioneve ekonomike, duke e zëvendësuar ose shoqëruar atë me tarifat doganore, për të vazhduar imponimin e dollarit si monedhë ndërkombëtare dhe për t’i imponuar botës blerjen e borxhit, të mbuluar nga burimet e tokave ‘të kolonizuara’. Lidhja e fortë me Izraelin dhe luftërat e tij është instrumenti për të ushtruar kontroll mbi një zonë të tërë, duke frikësuar petromonarkitë gjithnjë e më të pabindura, të rezervuara për të investuar në SHBA, dhe duke kërcënuar një luftë në Iran, për të përvetësuar monopolin e energjisë, e vetmja te e cila Trump mund të mbështetet.
Lufta në Ukrainë, e kultivuar nga Biden, do të jetë një tjetër mënyrë për të përkulur ekonomitë evropiane dhe për të përvetësuar burime. Në përmbledhje, unë mendoj se sulmi ndaj Venezuelës është zgjedhja përfundimtare e Trump për t’iu drejtuar luftës, në përpjekje për të ndalur një rënie të pashmangshme.”
*Alessandro Volpi, pedagog universitar i ekonomisë politike në Pisa


