Reshjet e dëborës janë rithyer sërish në Qarkun e Korçës. Dëbora ka përfshirë të gjithë territorin e juglindjes, Pogradec, Maliq, Kolonjë, Korçë e Devoll.
Prefektura e Qarkut të Korçës informon se si pasojë e kushteve atmosferike janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike dhe vështirësi në disa akse rrugore të qarkut.
Sipas OSHEE-së, pa energji elektrike kanë mbetur disa zona në Korçë, Ersekë, Rehovë, Lozhan, Mollas dhe Leskovik, duke prekur qindra abonentë ruralë dhe disa privatë. Ekipet ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit.
Nga ARRSH raportohet se gjatë natës ka pasur reshje dëbore në disa akse kryesore, përfshirë Korçë–Ersekë, Zëmblak–Bilisht–Miras, Korçë–Voskopojë dhe segmentin Boboshticë–Dardhë, ku në disa zona trashësia e borës kalon 50 cm. Po vijon pastrimi dhe kriposja e rrugëve, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.
Situata në Qarkun Kukës paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të dëborës me intensitet të ulët që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit.
Subjektet kontraktore kanë vijuar pa ndërprerje punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe kriposjen e tyre, duke bërë të mundur që të gjitha akset rrugore nacionale të jenë plotësisht të qarkullueshme. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës furnizohet normalisht, me përjashtim të disa zonave të izoluara. Aktualisht janë pa energji elektrike 13 abonentë në fshatin Gëdhesht, Njësia Administrative Malzi, 15 abonentë në fshatin Shtrezë, Njësia Administrative Topojan, Bashkia Kukës, si dhe disa abonentë në Njësinë Administrative Bujan, Bashkia Tropojë.
Furnizimi me ujë të pijshëm realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet mbeten në kontakt të vazhdueshëm dhe po ndjekin nga afër situatën për çdo zhvillim të mëtejshëm.
©️zërionline


