Një konflikt për motive të dobëta ka degjeneruar në dhunë fizike dhe përdorim të mjeteve prerëse në qytetin e Sarandës, duke lënë të plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Baba Rexhep”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas marrjes së informacionit për një përplasje mes disa shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke organizuar veprime të shpejta hetimore për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të konfliktit.
Si rezultat, janë arrestuar shtetasit M. H., 24 vjeç dhe Xh. S., 27 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi F. Gj. Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasit A. Gjonçaj, M. H. dhe Xh. S. kanë shkuar në banesën e shtetasit B. Qorri, ku për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta dhe me mjet prerës shtetasit E. Q., B. Q. dhe A. Q.
Si pasojë e dhunës kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Enea Qorri dhe Arnest Gjonçaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
©️zërionline


