Situata e kohëve të fundit për prodhuesit në Shqipëri, veçanërisht për sektorin e Manifakturës, po bëhet gjithnjë e më delikate dhe shqetësuese. Rritja e kostove të prodhimit, zhvlerësimi i euros dhe presionet e tjera ekonomike po e vënë këtë sektor përballë një sfide serioze mbijetese.
Alarmi jepet nga shoqata e bizneseve të manifakturës.
Sipas tyre, si pasojë e këtij kombinimi faktorësh, disa kompani të mëdha ndërkombëtare, me një histori të gjatë aktiviteti në vend, kanë nisur ose kanë përfunduar tashmë zhvendosjen e prodhimit drejt vendeve që ofrojnë kosto më të ulëta të fuqisë punëtore dhe politika shtetërore më mbështetëse për industrinë e Manifakturës.
Dy prej rasteve më domethënëse janë kompanitë italiane Cottonella dhe COFRA. Cottonella, e specializuar në prodhimin e veshjeve të brendshme, pas më shumë se 30 vitesh aktivitet në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Shkodrës, ka zhvendosur prodhimin në Uzbekistan. Përmes stafit të saj dhe një rrjeti të gjerë nënkontraktorësh, kjo kompani siguronte punësim për rreth 3 200 persona, duke qenë një nga shtyllat kryesore të punësimit në zonë.
Nga ana tjetër, COFRA, e fokusuar në prodhimin e këpucëve dhe veshjeve teknike të punës, me mbi 20 vite prezencë në Shqipëri, ka nisur transferimin e aktivitetit të saj drejt Egjiptit. Kompania ka njoftuar largimin e rreth 500 punonjësve vetëm gjatë muajit shkurt, ndërsa në total, përmes stafit direkt dhe nënkontraktorëve, punësonte mbi 3 000 persona, prej të cilëve rreth 1 200 ishin të punësuar drejtpërdrejt.
Si në Uzbekistan ashtu edhe në Egjipt, politikat shtetërore për sektorin e Manifakturës, përfshirë lehtësitë fiskale dhe mbështetjen për lëndët e para, janë dukshëm më favorizuese krahasuar me kushtet aktuale në Shqipëri. Kjo i bën këto vende më konkurruese dhe më tërheqëse për kompanitë prodhuese që kërkojnë të ulin kostot dhe të ruajnë qëndrueshmërinë e biznesit.
Ekspertët e shohin këtë situatë si një kambanë serioze alarmi për të gjithë sektorin. Prania e kompanive prestigjioze si Cottonella dhe COFRA konsiderohej një garanci e rëndësishme për cilësinë, seriozitetin dhe stabilitetin e Manifakturës shqiptare, si dhe një faktor kyç për punësimin masiv.
Zhvillimet e fundit po japin sinjale të qarta se sektori i Manifakturës mund të ketë hyrë në një fazë ridimensionimi. Një sektor që historikisht ka kontribuar me rreth 40% të eksporteve të vendit dhe që përfaqëson punëdhënësin më të madh në Shqipëri, me rreth 70 000 të punësuar çdo vit, rrezikon të humbasë peshë ekonomike dhe sociale nëse nuk ndërmerren masa të shpejta dhe konkrete mbështetëse.
©️zërionline


