Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bllokuar plotësisht qarkullimin në aksin Librazhd–Prrenjas, pasi më herët kishte ndaluar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë për shkak të rrezikut në një nga urat e këtij segmenti.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se situata paraqitet e rrezikshme dhe ekziston rrezik real për shembjen e urës, duke e detyruar të marrë masën ekstreme të bllokimit të plotë të qarkullimit për të gjitha mjetet, deri në gjetjen e një zgjidhjeje teknike.
Drejtori i ARRSH-së Ami Kozeli ka deklaruar se aktualisht nuk ka rrugë alternative për mjetet e tonazhit të rëndë, ndërsa mjetet e vogla janë orientuar të lëvizin përmes aksit drejt Gramshit.
Si autoritet e kemi në mbikëqyrje prej javësh, por prej 48 orëve ka pasur përkeqësim të ndjeshëm. Jemi të detyruar të bllokojmë tërësisht trafikun. Ka një përkeqësim të vazhdueshëm. Në mëngjes ishte spostuar 27 m, aktualisht është 29 m. Poshtë urës po thërrmohet betoni, kështu që jemi të detyruar të bllokojmë totalisht rrugën edhe për mjetet normale.”, tha kreu i ARRSH-së, pa dhënë afat se kur do të kryhen punimet e rihapet qarkullimi.
Bllokimi i këtij aksi të rëndësishëm pritet të sjellë vështirësi të shumta në qarkullim dhe në transportin e mallrave, ndërsa autoritetet po vlerësojnë ndërhyrjet emergjente për të shmangur rrezikun dhe për të rikthyer sa më shpejt normalitetin në qarkullim.
©️zërionline


