Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestave në Tiranë, ka përcjellë një mesazh mirënjohjeje për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.
Nga Roma, ku ndodhet për kurim dhe po përballet me një sfidë të rëndësishme për shikimin, Vishkulli ka falënderuar familjarët, miqtë dhe shqiptarët brenda e jashtë vendit për mesazhet, telefonatat, lutjet dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm”, shkruan ai, duke theksuar se solidariteti dhe dashuria e njerëzve i kanë dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të përballuar këtë situatë.
I riu shpreh gjithashtu mirënjohjen ndaj Zotit për forcën, jetën dhe shpresën, ndërsa lutet që kjo sfidë të kalojë me sukses.
“Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira”, përfundon mesazhi i tij.
©ZëriOnline


