Më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në sheshin kryesor të Durrësit u mblodhën gra, anëtare të shoqatës GPS që mbron të drejtat e grave në vend. Ato bënë thirrje për më shumë veprim konkret, duke theksuar se barazia dhe siguria nuk duhet të mbeten vetëm slogane, por të kthehen në realitet për çdo grua dhe vajzë.

Në një deklaratë për shtyp, Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, në bashkëpunim me rrjetin AWEN, i është bashkuar thirrjes globale të këtij viti “Rights. Justice. Action.” (Të Drejta. Drejtësi. Veprim), duke theksuar se barazia, siguria dhe paqja janë të pandashme nga respektimi dhe mbrojtja reale e të drejtave të grave dhe vajzave.
Sipas deklaratës, ky 8 Mars vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi përkon me zhvillime të reja ligjore që synojnë forcimin e mbrojtjes së grave dhe vajzave nga dhuna dhe diskriminimi.
Një nga ndryshimet kryesore është ligji i ri nr. 11/2026 “Për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje”, i cili zgjeron ndjeshëm mekanizmat e mbrojtjes për viktimat. Ligji njeh forma të reja të dhunës, si përndjekja, kërcënimi dhe dhuna online, ngacmimi seksual, martesa e detyruar dhe forma të tjera të shkeljes së integritetit dhe dinjitetit të grave dhe vajzave.
Ky ligj parashikon gjithashtu masa më të forta reagimi institucional, duke përfshirë mundësinë që policia të ndërhyjë menjëherë me urdhra paraprakë mbrojtjeje dhe të garantojë reagim të shpejtë për rastet që përfshijnë fëmijë dhe persona në rrezik.
Paralelisht, përmirësimet në ligjin për Barazinë Gjinore dhe përfshirja për herë të parë në legjislacionin shqiptar e parimeve të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt garantimit të pjesëmarrjes së grave në proceset e sigurisë, paqes dhe vendimmarrjes.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Në nivel global, të drejtat e grave shpesh mbeten të pambrojtura në praktikë. Sot, gratë dhe vajzat gëzojnë vetëm rreth 64 për qind të të drejtave ligjore që kanë burrat. Në shumë raste, gratë që kërkojnë drejtësi përballen me pengesa të shumta, pasi shpesh nuk besohen, përballen me riviktimizim ose përjashtohen nga sistemi i drejtësisë për shkak të kostove të larta të ndihmës juridike, transportit, kujdesit për fëmijët apo humbjes së të ardhurave.

Edhe në Shqipëri, pavarësisht progresit ligjor, dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të mbetet një realitet shqetësues. Një faktor që rrit ndjeshëm rrezikun e dhunës fatale në familje është prania e armëve të zjarrit në komunitet.
“Siguria e grave është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e shoqërisë. Më pak armë do të thotë më pak dhunë dhe më shumë jetë të shpëtuara”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kuadër, Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” bën thirrje për veprim konkret dhe të koordinuar institucional për zbatimin real dhe efektiv të ligjit për mbrojtjen nga dhuna dhe të legjislacionit për barazinë gjinore, politika për mbledhjen e armëve të paligjshme në komunitet, akses më të lehtë dhe të përballueshëm në drejtësi për gratë dhe vajzat, mbështetje më të madhe për viktimat e dhunës përmes strehimit dhe shërbimeve sociale, si dhe rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin e sigurisë dhe në proceset vendimmarrëse.
Në përfundim të deklaratës theksohet se siguria e grave nuk është privilegj, por e drejtë, dhe se siguria e grave është njëkohësisht siguria e gjithë shoqërisë. Në këtë ditë simbolike, organizatat riafirmojnë angazhimin për një shoqëri ku gratë dhe vajzat jetojnë të lira nga dhuna, me të drejta të plota dhe me mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tyre. 8 Marsi, thuhet në deklaratë, është një thirrje për veprim.
©️zërionline


