Albert Cara, një nga të mbijetuarit e tragjedisë së madhe të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në vend, është ndarë nga jeta të shtunën, gjashtë vite pas fatkeqësisë që i mori familjen. Ai humbi jetën si pasojë e një sulmi kardiak, duke mbyllur kështu një histori dhimbjeje që nisi nën rrënojat e tërmetit shkatërrues.
Atëherë, më 26 nëntor 2019, 54-vjeçari ishte një nga rastet më të prekshme të asaj tragjedie. Pas disa orësh kërkimesh, ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin të gjallë nga rrënojat e banesës së shembur në Thumanë. Por shpëtimi i tij nuk mundi të ndryshonte fatin e familjarëve të tij më të afërt, të cilët humbën jetën në të njëjtën ngjarje.

I plagosur rëndë në shtyllën kurrizore dhe në gjymtyrë, Cara u transportua në Itali për trajtim të specializuar, falë mbështetjes së autoriteteve italiane. Pas tre muajsh trajtimi dhe rehabilitimi, ai arriti të rikthehej në Shqipëri duke ecur me këmbët e veta, një histori që në atë kohë u pa si një simbol shprese mes dhimbjes së madhe që kishte lënë pas tërmeti.

Megjithatë, jeta e tij mbeti e shënuar nga tragjedia. Tërmeti i nëntorit 2019 i mori shtatë persona të familjes: Almiri 26 vjeç, Erisa 25 vjeç, Hasani 18 vjeç, Fatmira 53 vjeç, Sadajana 21 vjeç, Anthi 72 vjeç, si dhe Stela Zvergeci, e fejuara e djalit të tij.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Albert Carës u bë publik nga familjarët dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert… tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë”, shkruan ai në mesazhin e tij.
Edhe të afërm të tjerë kanë ndarë mesazhe prekëse lamtumire, duke kujtuar forcën me të cilën ai përballoi vitet e fundit të jetës, duke mbajtur në zemër dhimbjen e madhe për familjen që humbi.
“Sot qielli u bë më i rëndë, se një shpirt i mirë u ngjit lart. Ti mbaje në zemër një dhimbje të madhe që nga ajo ditë e errët e nëntorit… Tërmeti të mori gjithçka që doje. Por ti qëndrove i fortë, me plagë që vetëm Zoti i di”, shkruan një familjar në mesazhin e tij të ndjerë.
Historia e Albert Carës mbeti për vite me radhë një simbol i dhimbjes së madhe që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019, por edhe i forcës për të vazhduar jetën, edhe kur gjithçka dukej e humbur. Tashmë ai do të prehet, mbase pranë familjarëve të tij, që i humbi në atë tragjedi që tronditi mbarë vendin.
©️zërionline


