Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes dy institucioneve.
Kjo strukturë e përbashkët do të përqendrohet në rritjen e kontrollit dhe të efikasitetit tatimor e doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Qëllimi është parandalimi i rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve dhe mbrojtja e konsumatorëve.
Ministri Malaj theksoi se ngritja e këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në tregun e hidrokarbureve.
“Kemi marrë shkas për ngritjen e këtij grupi operacional nisur edhe nga konfikti më i fundit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, konflikt që ka ndikuar në çmimet e hidrokabureve. Çmimet do të jenë në monitorim nga këto dy institucione, në mënyrë që të mos kemi rritje abuzive të tyre në sektorin e tregtimit të hidrokrabureve me shumicë apo dhe me pakicë. Sot kemi dakordësuar se cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga këto dy institucione, duke filluar që nga vlerësimi me risk i operatorëve që operojnë në këtë sektor, por nga ana tjetër edhe duke marrë informacione nga tregu përsa i përket abuzimeve potenciale që mund të ndodhin. Kontrolli do të fokusohet jo vetëm në kontrollin e dokumentacionit doganor apo tatimor, por edhe në kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë”, u shpreh Ministri.
Sipas tij, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për një administrim sa më efikas të sistemit tatimor dhe doganor, gjithmonë në funksion të interesit të qytetarëve.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të zhvillohen në të gjithë territorin e vendit dhe do të fokusohen tek subjektet e identifikuara me risk.
Ai theksoi se do të krijohen grupe të përbashkëta kontrolli me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të siguruar që aktiviteti i subjekteve të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi, që çdo shitje të regjistrohet fiskalisht dhe që karburanti i tregtuar të ketë përmbushur të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se institucionet kanë koordinuar planin operacional dhe kanë nisur procesin e analizës së riskut.
Sipas tij, përvoja nga operacionet e mëparshme ka ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor. Ai shtoi se synimi është që operacioni të shtrihet në një periudhë afatgjatë, me qëllim rritjen e formalizimit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të tregut të hidrokarbureve.
©️zërionline


