Qyteti i Durrësit i jep sot lamtumirën e fundit një prej figurave më të respektuara të mjekësisë së tij. Është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare mjeku i njohur bakteriolog Dr. Mihal (Keli) Muka (08.12.1929 – 10.03.2026), i njohur dhe i dashur për breza të tërë qytetarësh si Dr. Keli.
Me ndarjen e tij nga jeta, Durrësi humb jo vetëm një profesionist të shquar, por edhe një njeri të urtë, të përkushtuar dhe me integritet të lartë, i cili për dekada të tëra kontribuoi në mbrojtjen e shëndetit publik dhe në shërbimin ndaj komunitetit.
Mihal Muka iu përkushtua që herët misionit fisnik të mjekut. Në vitin 1956 ai përfundoi studimet e larta për mjekësi në Moskë dhe më pas u specializua në fushën e bakteriologjisë, duke u bërë një nga specialistët më të njohur dhe më të vlerësuar në këtë disiplinë.
Pjesën më të madhe të jetës profesionale e zhvilloi në qytetin e tij të lindjes. Për shumë vite ai shërbeu në Qendrën Sanitare të Durrësit, ku me profesionalizëm, përkushtim dhe ndershmëri kontribuoi në diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive, në një periudhë kur roli i bakteriologjisë ishte thelbësor për shëndetin publik.
Për kolegët ai ishte një model profesionalizmi dhe korrektese, ndërsa për pacientët një mjek i qetë, i kujdesshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Thjeshtësia, urtësia dhe mirësia e tij e bënë një figurë të respektuar dhe të dashur në komunitetin durrsak.
Trashëgimia që lë pas nuk është vetëm ajo profesionale, por edhe njerëzore: kujtimi i një mjeku që i qëndroi besnik profesionit të tij dhe i shërbeu qytetit me përkushtim për gjithë jetën.
Ai mbante titullin “Mjeshtër i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikës me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare.”
U prehtë në paqe, Dr. Keli!
©️zërionline


