Kriza e naftës/ Shqipëria ul akcizën, rajoni dhe BE ndërhyjnë më agresivisht

Date:

Share post:

Këshilli i Ministrave ka miratuar uljen me 20% të akcizës së karburanteve, si dhe rikthimin e Bordit të Transparencës, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve në treg. Sipas përllogaritjeve, kjo masë pritet të sjellë një ulje prej rreth 8 lekësh për litër, duke e çuar çmimin e naftës në rreth 205 lekë për litër. Megjithatë, deri më tani, çmimet në treg nuk kanë reflektuar këtë ndërhyrje.

Aktualisht, akciza pa TVSH për karburantet është rreth 40 lekë për litër. Me uljen prej 20%, ajo zbret në 32 lekë për litër, duke krijuar një diferencë prej 8 lekësh, që në teori duhet të përkthehet në lehtësim për konsumatorin.

Nga ana tjetër, tregu vendas vijon trendin në rritje. Vetëm gjatë ditës së fundit, çmimet në pikat e karburantit u rritën me 10 deri në 15 lekë për litër, duke arritur në rreth 214 lekë për litër, niveli më i lartë që nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Në tregjet ndërkombëtare, nafta po tregtohet rreth 100 dollarë për fuçi, një rritje e ndjeshme krahasuar me fundin e muajit shkurt, kur ishte 65–70 dollarë.

Në këtë situatë, ndërhyrjet për uljen e çmimeve nuk janë të kufizuara vetëm në Shqipëri. Sipas raportimeve të Reuters, shumë vende europiane dhe të rajonit kanë ndërmarrë masa më të forta dhe më të menjëhershme.

Në rajon, Serbia ka aplikuar një ndërhyrje të thelluar duke ulur ndjeshëm akcizën e karburanteve, si dhe duke vendosur tavan çmimi dhe kufizime të përkohshme për eksportet, me synim stabilizimin e tregut të brendshëm.

Ndërkohë, Italia ka miratuar një paketë financiare me vlerë qindra milionë euro për të ulur përkohësisht taksat mbi karburantin, duke synuar të lehtësojë barrën për familjet dhe bizneset.

Edhe Austria ka ndërhyrë me masa të dyfishta, duke ulur taksat dhe duke vendosur kufizime mbi marzhet e fitimit të kompanive të tregtimit, për të shmangur abuzimet në treg.

Në një linjë edhe më të gjerë, Spanja ka parashikuar subvencione direkte për konsumatorët dhe paketa mbështetëse për sektorët më të prekur nga rritja e çmimeve të energjisë.

Këto masa tregojnë se ndërhyrja e shtetit në tregun e karburanteve është kthyer në një praktikë të zakonshme në kohë krize, me modele të ndryshme që variojnë nga ulja e taksave, te subvencionet direkte dhe kontrolli i çmimeve.

Në këtë panoramë, Shqipëria ka zgjedhur një ndërhyrje më të moderuar, të fokusuar kryesisht te ulja e akcizës dhe rikthimi i mekanizmave të kontrollit.

Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse kjo masë do të reflektohet realisht në çmimin për qytetarët, apo do të mbetet një ndërhyrje e kufizuar përballë një tregu që po ndikohet gjithnjë e më shumë nga zhvillimet globale.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Të flakin në rrugë dhe më pas hetojnë/ Ministria e Shëndetësisë nis hetim administrativ për rastin e 52-vjeçarit në Durrës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ për rastin e...

Peshkimi me dinamit i merr jetën 65-vjeçarit në Himarë, fenomeni i paligjshëm vijon të shkaktojë pasoja të rënda

Një praktikë e paligjshme dhe me pasoja të rënda për jetën e njerëzve dhe mjedisin ka shkaktuar një...

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...