Një histori e denjë për sezon pushimesh, që ia vlen të lexohet.
Një avokat dhe një artist jetonin në të njëjtën lagje prej shumë vitesh. Nuk ishin miq të ngushtë, por përshëndeteshin çdo ditë. Një ditë, avokati e vizitoi artistin dhe i tha:
“Dëgjo, një klient i imi më tha disa gjëra vërtet të këqija për ty. Ai tha se je një artist i tmerrshëm dhe shumica e veprave të tua janë budallallëqe. Ai tha se kushdo që blen veprat e tua duhet të jetë vërtet budalla. Më tha plot gjëra për ty për të cilat nuk mund të flas. Ai është armiku yt!”
Artisti dha një psherëtimë të gjatë dhe të thellë dhe mërmëriti,
“Po, ai është armiku im! Ai është me të vërtetë armiku im!”
Të nesërmen, avokati e vizitoi sërish artistin dhe i tha:
“Dëgjo, takova dikë në një restorant dhe ai më tha disa gjëra të këqija për ty. Ai tha se je duhanpirës, abuzues kronik droge dhe pijanec. Ai gjithashtu tha se je një ish-grabitës, hajdut makinash e shumë të tjera. Edhe ai është armiku yt! “
Artisti psherëtiu rëndë dhe mërmëriti,
“Po, ai është armiku im! Unë kam dy armiq!”
Ditën e tretë, avokati shkoi përsëri për të vizituar artistin dhe i tha:
“Shiko, një burrë nga lagjja jonë më ndaloi dhe më tha disa gjëra të tmerrshme për ty. Ai tha se ke një sëmundje shumë infektive dhe kushdo që të afrohet do të infektohet. Ai po u thotë të gjithëve të qëndrojnë larg teje, pra ti ke tre armiq!”
Këtë herë artisti tundi kokën dhe tha:
“Jo, e keni gabim, unë kam katër armiq!”
Avokati protestoi,
“Jo, janë tre.”
Artisti buzëqeshi dhe i pëshpëriti në vesh:
“Jo, janë katër! Keni harruar të përfshini veten. Dëgjo, fakti që nuk më mbrojtët emrin, ndërsa ata shpifnin për mua, por nxituat të më informoni për këtë, do të thotë se jeni edhe armiku im. Në fakt, ju jeni armiku im më i keq!”
Avokati mbeti i tronditur dhe i shtangur. U largua nga dhoma, me kokën varur plot turp, si fëmijë.
MËSIM:
Kur numëroni armiqtë tuaj, mos harroni kurrë ata që nuk mbrojnë emrin tuaj, ndërsa dikush shpif. Ata e dinë që ju jeni një person i mirë, por heshtin, ndërsa dëgjojnë të tjerët të flasin keq për ju. Ata janë edhe armiqtë tuaj. Jini të mençur dhe më të kujdesshëm!
@zërionline


