Durrësi po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet kryesore të turizmit kulturor dhe historik në Shqipëri, edhe gjatë muajve të parë të vitit, ndonëse shifrat e biletave të shitura janë larg atyre të Gjirokastrës, Krujës a Shkodrës. Statistikat e fundit tregojnë një interes në rritje të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të qytetit bregdetar.
Sipas të dhënave të Qendrës Muzeore Durrës, vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit monumentet kryesore kanë regjistruar një fluks të qëndrueshëm vizitorësh.

Sipas arkeologes Ina Ajazi, “kemi pasur një numër të konsiderueshëm vizitorësh në tremujorin e parë të vitit. Vetëm në Kullën Veneciane, rreth 900 vizitorë kanë ardhur dhe e kanë vizituar atë, ndërsa Amfiteatri ka arritur shifrën 2000 vizitorë. Këto monumente janë shumë tërheqëse sepse në Kullën Veneciane vizitorët kanë mundësi që, përmes programit multimedial, të shikojnë historikun e qytetit të Durrësit.”

Amfiteatri mbetet pika më e vizituar dhe një nga më tërheqëset e turizmit kulturor në qytet, duke ofruar një udhëtim të dyfishtë në kohë mes periudhës romake dhe bizantine. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shifrat tregojnë një trend në rritje, që i bën autoritetet vendore optimiste për sezonin turistik që po afron.
Sipas Ajazit, situata gjeopolitike ndërkombëtare ka ndikuar gjithashtu në rritjen e interesit për rajonin: “Mendoj se kriza në Lindjen e Mesme e ka bërë jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Ballkanin më tërheqës për vizitorët, si një vend më i sigurt. Shifrat janë më të larta këtë vit dhe jemi optimistë sepse është vetëm fillimi i vitit.”
Megjithatë, përtej shifrave pozitive, përvoja turistike kulturore në Durrës mbetet ende e paplotë. Në Amfiteatër, ndonëse vizitat kryhen me bileta hyrëse, mungon një ciceron i përhershëm që të udhëheqë dhe të shpjegojë historinë e monumentit, duke bërë që një pjesë e vizitorëve të mos e përjetojnë në mënyrë të plotë vlerën e tij historike.
Në të njëjtën kohë, Durrësi mbart një numër të madh objektesh me vlera të jashtëzakonshme që mbeten ende të mbyllura ose pamjaftueshëm të interpretuara për publikun. Muzeu Arkeologjik i qytetit vijon të jetë i mbyllur, ndërsa Termat Romake dhe Forumi Bizantin shpesh vizitohen nga distanca, pa akses të plotë dhe pa informacion shoqërues për vizitorët.


Kjo situatë kufizon ndjeshëm paketën turistike të qytetit, duke mos i dhënë mundësi vizitorëve të njihen në mënyrë të plotë me pasurinë historike që Durrësi ofron. Në vend që të funksionojë si një muze i hapur dhe i mirëinterpretuar, shumë prej monumenteve mbeten të heshtura, pavarësisht historisë së tyre të pasur.
Në pritje të hapjes së Muzeut Arkeologjik dhe përmirësimit të menaxhimit të siteve historike, krahas restaurimit, një rol vendimtar luan edhe interpretimi dhe prania e guidave profesionale nga QMD. Vetëm në këtë mënyrë Durrësi mund të shndërrohet në një destinacion të plotë të turizmit kulturor, duke i ofruar vizitorëve jo vetëm pamje, por edhe histori të gjallë të qytetit 3-mijëvjeçar.
©️zërionline


