Një plantacion gjigant me kanabis, qindra kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e mbledhur dhe në proces tharjeje, një pjesë tjetër e gatshme për paketim, si dhe një sasi tjetër e konsiderueshme e magazinuar në thasë plastikë mbi një metër të lartë, gati për shitje.
Kjo është ajo që kanë zbuluar karabinierët në një ish-kompleks industrial, tashmë jashtë funksionit dhe i çmontuar, në Altedo të Bolonjës, i cili ishte shndërruar në një plantacion të mirëfilltë kanabisi, bashkë me një kamp të improvizuar.
Në përfundim të operacionit, përveç sekuestrimit të një sasie gjigante droge, ende në proces përllogaritjeje, por me gjasë afro një ton, është kryer një arrestim në flagrancë për mbajtje dhe prodhim të paligjshëm të lëndëve narkotike, si dhe janë proceduar penalisht gjashtë persona të tjerë për bashkëpunim në të njëjtën veprimtari kriminale.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, u përballën me një terren të vështirë dhe me bimësi të dendur. Aty ndodheshin rezervuarë të mëdhenj për grumbullimin e ujërave të shiut, të cilët dikur përdoreshin nga kompleksi industrial, por edhe tre persona që po merreshin me përpunimin e lëndës narkotike, të vendosur mbi një rrjetë tharjeje me gjatësi rreth 20 metra.
Të kapur në befasi, ata tentuan të largoheshin me vrap. Dy prej tyre arritën t’u shpëtonin autoriteteve dhe aktualisht janë në kërkim, ndërsa personi i tretë, një 57-vjeçar shqiptar, u arrestua.
Gjashtë personat e tjerë nën hetim në gjendje të lirë janë shqiptare të moshave 51-65 vjeç.
Kontrollet e mëtejshme në ambientet e ish-kompleksit industrial çuan në zbulimin e shumë bimëve të kanabisit ende të mbjella dhe në fazë rritjeje, të një sasie tjetër në proces tharjeje, të një sasie të gatshme për paketim, si dhe të një sasie tjetër të konsiderueshme të vendosur në thasë plastikë, gati për t’u shpërndarë në treg.
Pranë zonës së kultivimit u zbulua edhe një kamp logjistik, me çadra kampingu që dyshohet se përdoreshin nga kultivuesit, si dhe një strukturë e posaçme për tharjen e lëndës narkotike.
Operacionet për pastrimin e plotë të zonës do të vijojnë, ashtu si edhe shkatërrimi i lëndës narkotike, sasia e së cilës deri më tani vlerësohet në disa qindra kilogramë./Corriere


